Apeli pezullon tarifat e ZRRE-së
Ekonomi

Apeli pezullon tarifat e ZRRE-së

Visar Krasniqi/ RTK

Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë vendimit të shkallës së parë për ta pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë në lidhje me vendimin për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Apeli thotë se me këtë vendim ruhet interesi publik, tarifat e reja të energjisë elektrike të cilat kanë hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti, do të pezullohen deri në një vendim të ri të Gjykatës Themelore.

Kolegji i Gjykatës së Apelit, e ka pranuar në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Gjykata po ashtu ka gjetur se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kontestuar me këtë padi, nuk është në kundërshtim me interesin publik, përkundrazi më së shumti i shërben ruajtjes së interesit të ekonomive familjare në Kosovë si konsumatorë shumicë të shfrytëzimit të energjisë elektrike.

Shtyrja e ekzekutimit të vendimit do të mundësojë në masë të nevojshme shmangien e shkaktimit të pasojave financiare për qytetarët, përkatësisht ekonomitë familjare të cilat momentalisht janë duke paguar çmim më të lartë të energjisë elektrike në raport me periudhën para marrjes së këtij vendimi nga ana e të paditurës.

Gjykata e Apelit erdhi në përfundim të qartë dhe të pakontestueshëm se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të kontestuar nuk do t’i sillte asnjë dëm palës kundërshtare dhe as personave të interesuar dhe kjo për faktin që nuk është paraqitur asnjë argument që e paditura do të mund të dëmtohet në çfarëdo forme.

Njësoj nuk do të dëmtohen as palët e interesuara, përkatësisht qytetarët tjerë, pikërisht për faktin se shtyrja e ekzekutimit të këtij vendimi i shërben mbrojtjes së interesave publike të qytetarëve të Republikës së Kosovës, e veçanërisht qytetarëve bartës të ekonomive familjare, ndaj të cilëve zbatohet vendimi i kontestuar me këtë padi.

Gjykata e Apelit Me tarifat e reja të miratuara nga Zyra e Rregullatorit, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë 100 për qind çmim të lartë. Ka qenë Partia Demokratike e Kosovës e cila e kishte paditur ZRRE-në për vendimin me tarifave të reja.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA Ekonomi