Krasniqi: KEK-u ka katër vite që nuk ka vlerësim të performancës
A.BELA/ RTKlive.com
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ka mbajtur mbledhje në të cilën kanë raportuar Kryesuesi i Bordit dhe Kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut. Ata kanë raportuar rreth raportit të auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020).
Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka folur rreth raportit të auditimit të performancës “Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës (2018-2020).
“Në KEK nuk ka pasur vlerësim të performancës për katër vite, i cili është obligim ligjor, pa vlerësim të tillë nuk mund të merret asnjë vendim. Ne kemi filluar atë dhe me kohë çdo njëri jep llogari për punën e vet. Çështja e adresimit të prokurimit merr kohë”, tha ai.
Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, nuk ka mohuar të gjeturat nga auditori, por tha se nuk merr përgjegjësi, pasi që në krye të KEK-ut ka ardhur në tetor të vitit 2021.
Gjatë shqyrtimit të raportit të auditimit të performancës, "Prokurimi në Korporatën Energjetike të Kosovës 2018-2020", kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen Financiare, Hykmete Bajrami, theksoi se gjetjet nga auditori në KEK janë tepër shqetësuese, pasi ka dhjetëra kontrata të firmosura me negocim të drejtpërdrejtë dhe mungesë të transparencës.