FMN-ja vlerëson BQK-në për ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar
Foto/ BQK
Ekonomi

FMN-ja vlerëson BQK-në për ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar

A.BELA/ RTKlive

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka mirëpritur qëndrimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar pas vizitës së stafit në Kosovë në datat 10 - 20 maj, i udhëhequr nga shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Gabriel Di Bella, ku janë diskutuar zhvillimet e fundit ekonomike, perspektiva dhe politikat.

Ky institucion ka vlerësuar se sektori bankar deri më tani i ka përballuar mirë goditjet, i ndihmuar nga një kuadër i mirë rregullator.

Rritja e fortë e kredive ka mbështetur aktivitetin ekonomik, derisa normat e depozitave dhe kreditimit të brendshëm, kanë mbetur përgjithësisht të qëndrueshme.

Megjithatë FMN ka vlerësuar se kushtet më të shtrënguara financiare në Evropë mund të përkthehen në norma më të larta të interesit të brendshëm, duke krijuar dobësi për sektorët që janë zgjeruar fuqishëm, përfshirë ndërtimin.

Sipas FMN-së, mbikëqyrja bankare do të duhet të vazhdojë të monitorojë në mënyrë vigjilente cilësinë dhe likuiditetin e aktiveve të bankave, duke siguruar që bankat të ruajnë rezerva të mjaftueshme të kapitalit.

“Një bankë qendrore e pavarur, e përgjegjshme dhe plotësisht funksionale është kritike për stabilitetin e sistemit financiar. Emërimi i dy anëtarëve të rinj të Bordit dhjetorin e kaluar duke rivendosur kuorumin e bordit mbikëqyrës pas një viti e gjysmë, ishte një hap i mirëpritur. Megjithatë, pozita vakante e zëvendësguvernatorit duhet të plotësohet urgjentisht për të parandaluar ndonjë ndikim negativ në kapacitetin e BQK-së për të vepruar apo marrë vendime ekzekutive gjatë këtyre kohërave të vështira”, ka thënë tutje FMN.

FMN ka parashikuar se inflacioni do të rritet këtë vit në mbi 10%, ndërsa rritja e çmimeve do të arrij në 5.5% të Bruto Prodhimit Vendor. Ndërsa, ka kërkuar që të ruhen politikat e shëndosha makroekonomike dhe stabiliteti financiar, si dhe avancimi i zbatimit të reformave, të cilat do të jenë thelbësore për tërheqjen e investimeve të huaja direkte në Kosovë, në kohën kur shumë investitorë po zhvendosen në Evropë.

Sa i përket kërkesës për tërheqjen e mjeteve pensionale nga Fondi i Kursimeve Pensionale, FMN-ja ka shprehur kundërshtimin, pasi ky veprim sipas këtij institucioni do të shkaktonte një goditje të rëndë për qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve dhe do të reduktonte fuqimisht vlerën reale të pensioneve.

TEMAT:


APR
Romay Lift