ASK: Pagat në sektorin publik u rritën për 18 euro e në privat për 39 euro
Foto: ASK
Ekonomi

ASK: Pagat në sektorin publik u rritën për 18 euro e në privat për 39 euro

Jeton Musliu / RTKlive

Në vitin 2021, paga mesatare bruto në Kosovë ishte 484 euro, derisa në vitin 2020 ishte 466 Euro.

Pra, kishte një rritje prej 18 euro në paga, nga viti paraprak. 

Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi të premten raportin mbi nivelin e pagave për vitin 2021.

Bazuar në këtë dokument, paga neto në Kosovë, në vitin 2021 ishte 432 Euro, krahasuar me vitin 2020 që ishte 416 euro, një rritje prej 16 eurosh në vitin 2021 raporton RTKlive.

Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2021 ishte 612 Euro, duke u rritur për 205  euro, ndërsa, paga mesatare neto nga 366 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 542 euro në vitin 2021. Pra, kishte një rritje prej 176 eurosh.

Paga mesatare bruto në sektorin e ndërmarrjeve publike në vitin 2012 ishte 561 euro, derisa në vitin 2021 ishte 768 euro. Ndërsa, paga mesatare neto nga 502 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 680 euro në vitin 2021 raporton RTKlive.

Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2021 ishte 419 euro, derisa në vitin 2020 ishte 380 euro. Pra, kishte një rritje prej 39 euro. Ndërsa, paga mesatare neto në vitin 2021 ishte 376 euro, krahasuar me vitin 2020 e cila ishte 342 euro. Pra, një rritje prej 34 euro.

Niveli i pagave më të larta në Kosovë ishte sektori i  ndërmarrjeve publike, derisa me paga më të ulëta ishte sektori privat.

Paga mesatare bruto në vitin 2021, sipas aktiviteteve ekonomike, më a larta ishte te: Furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (949 Euro); dhe Informim dhe komunikimi (757 Euro). Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim (281 Euro).


APR