BE: Kosova ka bërë progres në ndryshimin e kodit doganor dhe të akcizave
Foto nga Zyra per Komunikim Publik e ZKM-së
Ekonomi

BE: Kosova ka bërë progres në ndryshimin e kodit doganor dhe të akcizave

Afet BELA/ RTKlive

Kosova dhe Bashkimi Evropian mbajtën nënkomisionin e gjashtë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për tregti, industri, dogana dhe tatim.

Zyrtarët nga Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë mbajtur një takim në Bruksel për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e Tregtisë, Industrisë, Doganave dhe Tatimeve.

‘Diskutimi u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi në prill 2016. Gjatë takimit, zyrtarët shkëmbyen mendime për fusha të ndryshme, duke përfshirë tregtinë, industrinë dhe politikën e NVM-ve, doganat, tatimet dhe lëvizjen e lirë të mallrave. Në të gjitha fushat, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për rëndësinë e zbatimit të prioriteteve përkatëse të Programit të Reformës Ekonomike, Agjendës evropiane së reformave dhe rekomandimeve nga Raporti i Komisionit për Kosovën 2021. Bashkimi Evropian përshëndeti progresin në kryerjen e reformave në disa fusha dhe i kërkoi Kosovës që të rrisë ritmin e zbatimit në të tjerat, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me agjendën evropiane të reformave“, thuhet në komunikatën e Zyrës për Komunikim Publik të Zyrës së Kryeministrit.

Në fushën e tregtisë, palët diskutuan për deficitin tregtar dhe zhvillimin e politikës tregtare. Pas pikës së ulët të vitit 2020 në mes të pandemisë, tregtia ndërmjet Kosovës dhe BE-së u rikuperua mirë në vitin 2021 dhe BE-ja mbetet partneri i parë tregtar i Kosovës. Komisioni inkurajoi zbatimin dhe forcimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe kërkoi që protokollet shtesë për lehtësimin e tregtisë dhe tregtinë e shërbimeve të ratifikohen me shpejtësi. Për sa i përket klimës së investimeve, u inkurajua përafrimi i mëtejshëm me rregulloret dhe praktikat më të mira të BE-së. Në këtë drejtim, progresi në përafrimin me acquis për sa i përket homologimit të automjeteve u mirëprit gjithashtu. Miratimi i ligjit për tregtinë e jashtme u mirëprit dhe Kosova u inkurajua që të zhvillojë një politikë për adresimin e deficitit tregtar.

Sa i përket doganave dhe tatimeve, Kosova ka bërë progres në ndryshimin e Kodit Doganor dhe të Akcizave për ta harmonizuar atë me legjislacionin e BE-së. Komisioni Evropian gjithashtu përshëndeti hapjen e terminalit të parë doganor në pronësi publike dhe inkurajoi Kosovën që të vazhdojë fazën e heqjes së tarifave të përdorimit për objektet doganore. Për më tepër, Komisioni Evropian theksoi rëndësinë e luftimit të mëtejshëm të ekonomisë informale dhe rekomandoi marrjen e hapave për të hapur rrugën për një reformë gjithëpërfshirëse dhe të plotë të politikës tatimore, duke përfshirë vazhdimin e një dixhitalizimi gradual të plotë të të gjitha shërbimeve tatimore.Sa i përket politikës së industrisë dhe NVM-ve, Komisioni Evropian mirëpriti themelimin e gjykatës komerciale e cila ka potencial për të përmirësuar shumë mjedisin e biznesit në Kosovë.

“Kosova u zotua të vazhdojë të përmirësojë mjedisin e biznesit duke përfshirë rritjen e dixhitalizimit dhe thjeshtimit të licencave dhe lejeve. Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu nevojën që Agjencia Kosovare e Investimeve dhe Përkrahjes së Ndërmarrjeve (KIESA) të mbështesë më mirë investimet dhe sektorin privat. Në lidhje me lëvizjen e lirë të mallrave, diskutimi u fokusua në rritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit me acquis të BE-së me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës cilësore në fushat e standardizimit, akreditimit, vlerësimit të konformitetit, metrologjisë dhe mbikëqyrjes së tregut“, thuhet në komunikatën e Zyrës për Komunikim Publik të Zyrës së Kryeministrit.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për të diskutuar rregullisht çështjet teknike dhe politike në lidhje me reformat që kanë të bëjnë me BE-në. Organet e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim-Asociimit, të ndihmuar nga Komiteti i Stabilizim Asociimit, si dhe Nënkomitetet e MSA-së, të cilët mbulojnë një gamë të gjerë të acquis të BE-së. Takimet e organeve të MSA-së japin kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.

Çdo takim i nënkomisionit monitoron dhe shoqëron zbatimin e reformave të Kosovës dhe identifikon se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.

Janë shtatë fusha të mbuluara nga takimet sektoriale të nënkomisioneve: nënkomisioni për drejtësi, liri dhe siguri; inovacioni, shoqëria e informacionit, politika sociale, arsimi dhe kultura; tregtia, industria, doganat dhe tatimet; tregu i brendshëm, konkurrenca, mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndetësisë; bujqësi, peshkatari, pylltari, siguri ushqimore; transporti, mjedisi, energjia; ndryshimet klimatike dhe zhvillimi rajonal; Çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat. Dy fusha të tjera të mbuluara nga mbledhjet e grupeve të posaçme janë reforma e administratës publike dhe normalizimi.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa