Britani e Madhe, nis greva më e madhe hekurudhore në 30 vjet
Ekonomi

Britani e Madhe, nis greva më e madhe hekurudhore në 30 vjet

REL

Britania e Madhe po përjeton një bllokadë të plotë që nga orët e hershme të ditës së martë, pasi mijëra punëtorë hekurudhorë kanë hyrë në grevë, duke lënë rrjetin hekurudhor të funksionojë me një shërbim strukturor, ndërsa aeroportet e vendit tashmë janë paralizuar për më shumë se një muaj për shkak të mungesës së stafit.

Greva hekurudhore do të thotë se vetëm rreth gjysma e rrjetit hekurudhor të Britanisë do të funksionojë në ditët e grevës me një shërbim shumë të kufizuar dhe ndërprerje të vazhdueshme. Mbi 40 mijë punonjës do të ndërpresin punën për tre ditë në shenjë protestë.

Sindikatat kanë thënë se greva hekurudhore mund të shënojë fillimin e një vale grevash të tjera gjatë verës me mësuesit, mjekët, punëtorët e depozitimit të mbeturinave dhe madje edhe avokatët që po planifikojnë greva të ngjashme.

Familjet britanike tashmë po përjetojnë shtrëngimin më të madh ekonomik në dekada, me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve duke e çuar inflacionin drejt shifrave dyshifrore, ndërkohë që pagat mesatare bazë nuk janë më të larta se sa ishin në vitin 2006 kur u rregulluan për inflacionin.

Nën presionin për të bërë më shumë për të ndihmuar familjet britanike, që po përballen me goditjen më të rëndë ekonomike në dekada, kryeministri Boris Johnson, tha se greva do të dëmtonte bizneset, ndërsa ato vazhdojnë të dalin nga pandemia.

Ministri i Transportit Grant Shapps tha se qeveria do të ndryshojë ligjin sa më shpejt të jetë e mundur për të detyruar operatorët e trenave të ofrojnë një shërbim minimal në ditët e grevës dhe të lejojë punëtorët e tjerë të zëvendësojnë përkohësisht ata që janë larguar.

Pasagjerët u këshilluan të limitonin udhëtimet gjatë kësaj jave, ndërsa në Londër kompanitë e taksive raportuan për një rritje të kërkesës me rrugët që ishin të mbushur me automjete dhe çiklistë.

Shume shtete në botë por përjetojnë rritje rekord të inflacionit teksa lufta në Ukrainë dhe heqja e kufizimeve nga Covid rritën çmimet e karburanteve dhe ato të produkteve ushqimore.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA Ekonomi