Perspektiva të zymta për ekonominë gjermane
Ekonomi

Perspektiva të zymta për ekonominë gjermane

DW

Gjendja në ekonominë gjermane është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të reduktimit të furnizimeve me gaz nga Rusia. Sipas ekonomistëve në dimër pritet një recesion i rëndë.

Ekonomistët gjermanë mendojnë se në dimër Gjermania do të preket nga një recesion i rëndë. Instituti Gjerman për Studime Ekonomike Ifo, i cili përgatit prognoza për zhvillimin ekonomik intervistoi gjatë muajit maj dhe qershor 9,000 menaxherë për situatën dhe perspektivat e bizneseve të tyre.

Shkak kryesor për prognozat e errëta është reduktimi i madh i furnizimeve me gaz nga Rusia, të cilat edhe mund të ndërpriten plotësisht. Të enjten qeveria gjermane shpalli gjendjen e alarmit në lidhje me rezervat e gazit.

"Rritja e çmimeve të energjisë dhe mungesa e gazit po shkaktojnë shqetësim të madh për ekonominë gjermane", tha drejtori i institutit Ifo, Clemens Fuest. Sipas tij dhe ekonomistëve të tjerë Gjermania mund të përfshihet nga një krizë ekonomike.

Recesion i rëndë në dimër

Sipas ekonomistëve të institutit Ifo pushtimi rus i Ukrainës po shkakton rritje të çmimeve të lëndëve të para, rritje të mungesës në furnizime dhe rritje të pasigurisë midis kompanive dhe konsumatorëve. Prandaj instituti Ifo e ka ulur parashikimin e tij për rritjen e ekonomisë gjermane këtë vit nga 3.1 në 2.5 për qind.

Për vitin e ardhshëm, rritja ekonomike pritet të përshpejtohet në 3.7 për qind, megjithatë ekonomistët kanë frikë nga një recesion i rëndë në dimër, nëse nuk do të ketë furnizime me gaz rus. "Situata në tregun e gazit është kërcënuese," tha Jens Südekum, këshilltar i qeverisë gjermane dhe profesor për ekonominë ndërkombëtare në Universitetin Heinrich Heine në Dyseldorf. "Nëse furnizimet me gaz rus do të ndërpriten, ekziston rreziku i racionimit të gazit si dhe ndërprerje e prodhimit industrial. Rezultati mund të jetë një recesion i rëndë." - tha Jens Südekum.

Jo vetëm gazi rus

Sipas ekonomistit të Commerzbank, Jërg Krämer, situata ekonomike është më e zymtë nga sa parashikon instituti Ifo: "Situata ekonomike është e paqëndrueshme. Nga njëra anë sepse reduktimi i mëtejshëm i furnizimeve me gaz rus mund të çojë në racionimin e gazit për industrinë gjë që do të jetë me pasoja të rënda. Nga ana tjetër, edhe rritja masive e normave të interesit nga Banka Qendrore e SHBA-së ka të ngjarë të shkaktojë një recesion në SHBA. Duke pasur parasysh të gjitha këto rreziqe në rritje, ne e kemi ulur parashikimin tonë për Gjermaninë për vitin 2023 nga 2.5 në vetëm 1.0 për qind." - tha Krämer.


APR
Romay Lift