Tri projektet energjetike që do të realizohen në Kosovë përmes MCC
Rtklive
Foto RTK
Ekonomi

Tri projektet energjetike që do të realizohen në Kosovë përmes MCC

Visar Krasniqi/ RTK

Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, i udhëhequr nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe një ekip i gjerë i institucioneve tregtare amerikane, ditën e fundit të qershorit, aprovuan në projektin Kompakt prej 200 milionë dollarësh për të realizuar tri projekte të energjisë në Kosovë.

Tri janë projektet energjetike që do të realizohen në Kosovë të financuar përmes programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit të miratuar së fundi në Uashington. Projekti i parë ka të bëjë me blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet 170 MW, që ofrojnë 340 megavatë orë si rezerva të energjisë. Rezerva do të përdoret për stabilizimin e frekuencës së luhatshme të energjisë si pasojë e disbalancit të furnizimit dhe konsumit. Bateritë mund të përdoren për ruajtjen e energjisë në orët e hershme të mëngjesit kur shpenzimi është i ulët, me qëllim të përdorimit të saj kur është nevoja për konsum të lartë. Bateritë sipas projektit, mund të lidhen shumë lehtë me burime solare, ato të erës, dhe burime të ngjashme, që do ta përshpejtoj kalimin e Kosovës në burime të ripërtërishme dhe të qëndrueshme të energjisë. Projekti i dytë përfshinë dy aktivitete të financuar MCC, raporton RTK.

I pari ka të bëjë me zhvillimin e fuqisë punëtore energjetike për të ardhmen, që synon të krijoj një program të studimit që do të zhvilloj aftësitë e individëve që do të punojnë në sektor të energjisë Aktiviteti i dytë synon përfshirjen më të madhe të grave përmes mbështetjes së punëdhënësve në sektor të energjisë; si dhe rritjen e fuqizimin e rrjetit të grave në energji dhe dhënia e çmimit për vendet më të mira të punës për gra. Projekti i tretë është financim nga ACFD ose Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim i cili ka për qëllim të nxisë financimin e sektorit privat nga Korporata Financiare e Zhvillimit Ndërkombëtar ? DFC të ShBA-ve në Kosovë. Projekti synon të rrisë përfshirjen e sektorit privat gjatë implementimit të programit Kompakt në fushat që mbështesin ose plotësojnë objektivat e projektit të rezervave të energjisë dhe atë të zhvillimit të fuqisë punëtore. Projektet e mundshme të mbështetura përmes këtij mekanizmi përfshijnë gjenerimin e energjisë së ripërtërishme dhe hapjes së mundësive për financim për agjendë të gjelbër. Granti 200 milion dollarë sigurohet nga MCC; rreth 35 milion dollarë do të ndahen nga Qeveria e Kosovës, kurse 2 milion do të jenë fondi i ACFD-së. Miratimi i programit Kompakt duhet të ratifikohet në Kuvend dhe të dekretohet nga Presidentja e Kosovës.


MË SHUME NGA Ekonomi