BQE duhet të tregohen të kujdesshme me masat për inflacionin
ECB
Ekonomi

BQE duhet të tregohen të kujdesshme me masat për inflacionin

Monitor

Kjo do të duhet të kishte qetësuar bankat qendrore përballë disa surprizave të këqija nga kahu i ofertës. Dhe, për njëfarë kohe, bankat qendrore e ruajtën gjakftohtësinë e tyre gjatë shpërthimit të inflacionit. Por, ato nuk e mbajtën dot guximin e bindjeve të tyre të reja. Në vend të kësaj, ato lejuan kritikat që t’i detyronin të refuzonin mundësinë që presioni i lartë i kërkesës mund të tërheqë më shumë burime në ekonomi sesa mendohej më parë dhe, kështu, me kalimin e kohës, mund të ndihmojë në mbajtjen e presioneve të çmimeve duke ruajtur rritjen ekonomike.

Bankat qendrore tani duken të palëkundura për të rivendosur atë versionin monetar të makizmit toksik, sipas të cilit nëse diҫka nuk dhemb, atëherë nuk po funksionon. Politikëbërësit kryesorë janë gjithnjë e më të qartë në lidhje me synimin e tyre për të ulur inflacionin, edhe me koston e ngadalësimit të rritjes ekonomike ose të rritjes së papunësisë. Tregjet kanë marrë masat dhe po përgatiten për recesion.

Bankierët qendrorë nuk është se janë të kënaqur nga kjo situatë, natyrisht. Veprimet e tyre mbështeten në faktin se ata mendojnë që nuk ka një alternativë më të mirë. Por, nëse është kështu, do të ishte mirë që të kishin absolutisht të drejtë në vendimmarrjen e tyre. Për fat të keq, argumenti që ato japin është më i dobët nga sa mendojnë shumë njerëz.

Në fillim, rritja e inflacionit iu atribua pothuajse në mënyrë universale goditjeve të ofertës. Por, pavarësisht rolit të dukshëm të sulmit të Vladimir Putinit ndaj Ukrainës dhe reduktimit të mëvonshëm të furnizimeve me gaz, opinioni mbizotërues është zhvendosur disi duke fajësuar taashmë kërkesën e tepërt.

Megjithatë, vetëm këtë vit, shpenzimet nominale tejkaluan prirjen para pandemisë në SHBA; ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar dhe në eurozonë, kjo nuk ka ndodhur ende. Edhe në SHBA, vëllimi i përgjithshëm i mallrave dhe i shërbimeve të blera (në krahasim me vlerën e tyre të tregut) është pikërisht sa trendi ku ndodhej përpara fillimit të pandemisë. Pra, nuk është se kërkesa ka dalë jashtë kontrollit. Rikuperimi i kërkesës po përballet me çmime më të larta për shkak të ofertës.

Kundërpërgjigjja e qartë është se, edhe pse kërkesa ndodhet pranë një niveli normal, nuk mund të thuhet e njëtja gjë për ofertën, qoftë për shkak të pandemisë, qoftë për shkak të rritjeve të çmimeve të energjisë dhe të mallrave. Por, sa të sigurt mund të jemi se këto probleme janë të qëndrueshme dhe do të zgjasin në kohë? Nuk bën shumë sens që të shkaktosh një recesion për të adresuar problemet e përkohshme të furnizimit.

Pandemia mund të ketë dëmtuar kapacitetin e ekonomisë për të prodhuar, duke ulur numrin e punonjësve të shëndetshëm. Por jo në eurozonë, ku shumë vende kanë norma rekord punësimi. Dhe, ndërsa ekonomia amerikane vazhdon të punësojë pothuajse një milion njerëz më pak sesa në shkurt të vitit 2020, bumi aktual vazhdon të shtojë vende pune me ritme më shumë sesa dyfishi i mesatares përpara pandemisë. Rritja e vendeve të punës mbetet e lartë edhe në Europën kontinentale.

Ka pak gjasa që ky trend të shuhet. Megjithatë, bankat qendrore mund ta ndalojnë atë me vendosmërinë e tyre për të kufizuar rritjen e kërkesës. Pra, lind pyetja: a i duhet ekonomive tona tani që të kenë më pak njerëz në punë? Edhe duke e parë situatën nga pikëpamja e inflacionit, a nuk duhet që të lejohet rritja e punësimit dhe, si rrjedhojë, edhe e ofertës, për të ulur në mënyrë të qëndrueshme presionet e çmimeve?

E njëjta gjë vlen edhe për krizën energjetike. Për ekonomitë importuese neto të energjisë, çmimet e larta të naftës, të gazit dhe të energjisë i bëjnë ato më të varfëra, kështu që do të duhet të eksportojnë më shumë dhe të konsumojnë më pak për të siguruar nevojat e tyre për energji. Si përmirësohet ky problem duke reduktuar edhe vetë prodhimin e këtyre vendeve, kur politika kontraktuese godet si punësimin, ashtu edhe investimet? Sa i përket vendeve që nuk janë importuese neto, çmimet më të larta të energjisë shkaktojnë pabarazi, e cila vetëm sa mund të përkeqësohet nga shtrëngimi monetar.

Argumenti i fundit për t’u mbërthyer nga një recesion i shkaktuar nga oferta është shmangia e një spiraleje të rritjes së njëpasnjëshme të pagave dhe të çmimeve. Por, racionaliteti i kësaj varet nga rreziku i cili është më tepër sesa thjesht teorik. Në vetvete, rritja e pagave është sigurisht diçka për t’u mirëpritur – dhe marzhet e larta të fitimit tregojnë se kostot e pagave nuk po i rrisin çmimet. Vlen gjithashtu të theksohet se vendet me mbulimin më të madh të marrëveshjeve kolektive të  punës (Franca, Italia, vendet nordike) kanë normat më të ulëta të inflacionit.

Asnjë nga këto argumente nuk duhet të nënvlerësojë rreziqet reale të shkaktuara nga kriza e kostos së jetesës. Por, tkurrja monetare në prag të një recesioni do t’i përkeqësojë gjërat akoma më tepër, duke mos sjellë asnjë përfitim. Qeveritë duhet të ofrojnë mbështetje për ata që janë goditur më shumë nga rritja e çmimeve. Por ndoshta bankat qendrore – për hir të stabilitetit monetar dhe ekonomik – duhet ta trajtojnë inflacionin me pak më tepër neglizhencë./ Financial Times


APR
Romay Lift