Korrje-shirjet në Deçan, fermerët të brengosur me rritjen e çmimeve
BKT
Ekonomi

Korrje-shirjet në Deçan, fermerët të brengosur me rritjen e çmimeve

Islam Haxhiu /RTK

Kushtet klimatike janë një faktor i rëndësishëm edhe në fushatën e korrje-shirjeve e cila ka nisur gjithandej vendit. Megjithatë, fermerët tani po ballafaqohen edhe me shtrenjtim të plehrave derivative të naftës por edhe farërave. Por në Deçan fermerët janë optimistë me rendimentin e grurit të sivjetshëm.

Edhe pse sivjet u ballafaquan me shtrenjtimi të mëdha, sidomos atyre të plehrave, farërave dhe derivateve të naftës, fermerët deçanas janë shprehur të kënaqur me rendimentin e grurit.

“Sivjet ka qenë sezoni i mirë, nuk ka qenë keq, thatësi e madhe ka qenë por mirë është duke pagua, jemi të kënaqur 80 për qind, megjithëse është shtrenjtua nafta, po çka me bë, Bëjë apel që ne fermerëve, buqëve me na e lirua naftën, se na veç me falimente pastaj”, thotë Gëzim Kuçi. Fermer.

“Rritja e çmimeve, ma e madhja është ajo te na, te gjithë secili, plehrat, farnat, nafta, të gjitha sivjet janë mbi kulm, si thuhet. Sezoni për grunaja ka qenë i mirë sivjet”, thotë Naim Hasaj, fermer.

Të brengosur me rritjen e çmimeve në sektorin e bujqësisë janë shprehur edhe zyrtarët komunal të Deçanit. Megjithatë, ata thonë se prodhimtaria e grurit këtë vit është shumë e lartë.

“Në komunën tonë është duke vazhduar fushata e korrje shirjeve, jam i lumtur se po vazhdon në mënyrën më të mirë të mundshme. Përkundër rritjes së çmimeve, ky vit do të jetë i bereqetshëm edhe për fermerët por edhe për komunën tonë, për shkak se sivjet kemi dyfishua sipërfaqen e mbjellë me grurë”, thotë Rifat Stojkaj, drejtor i DBZHR së kësaj komune.

Në komunën e Deçanit këtë vit është rritur interesimi i fermerëve për shtimin e sipërfaqeve me grurë. Rreth 1200 ha grurë, pritet të korren gjatë dhjetë ditëve të ardhshme.


MË SHUME NGA Ekonomi