Kusari-Lila: Kosova duhet të jetë në hap me digjitalizim
Afet Bela / RTKlive
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, mbajti sot dëgjim publik lidhur me nismën legjislative “Projektligji për kriptovaluta”.
Në prani të përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, Njësisë për Inteligjencë Financiare, Doganës, ARKEP-it, ASHI-së, përfaqësuesve të Aleancës Kosovare të Biznesit, nga STIKK etj., takimin e hapi dhe e drejtoi kryesuesja e grupit të punës për hartimin e këtij projektligji, Mimoza Kusari Lila.
Duke arsyetuar ndërmarrjen e kësaj iniciative nga ana e komisionit, Kusari Lila tha se digjitalizimi është tema numër një për të gjitha shoqëritë e zhvilluara, prandaj, sipas saj, edhe Kosova duhet të jetë në hap me këto zhvillime.
Ajo tha qëllimi i këtij dëgjimi publik është diskutimi në parim i çështjeve që ky ligj i prek dhe për të krijuar idenë për kapacitetet institucionale për implementimin e këtij ligji, duke bërë gjithashtu, vlerësimin e ndikimit të zbatimit të tij.
“Ky projektligj përmban dispozita që mbulojnë procedurat e licencimit të operatorëve të angazhuar në treg, dispozita për organizimin e operatorëve në treg, mbikëqyrjen e këtij tregu nga institucionet, mbrojtjen e konsumatorëve, transparencën e operimit, si dhe mbrojtjen nga praktikat abuzive në treg. Projektligji, përveç çështjeve rregulluese, ka për qëllim të hap tregun për investime në lëmin e tregtimit të kriptoaseteve dhe emetimit të tyre”, theksoi Kusari Lila.
Lidhur me aspekte përmbajtësore të projektligjit, sqarime tha eksperti i angazhuar, Virtyt Ibrahimaga, ndërsa me diskutimet e tyre kontribuuan të pranishëm të tjerë.
Kështu, nismën legjislative të Kuvendit e mirëpriti kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ndërsa diskutues të tjerë konfirmuan dërgimin e komenteve me shkrim, duke shtruar rëndësinë që projektligji të jetë në linjë me legjislacionin e BE-së në këtë fushë.























