Hapet së shpejti Zyra Ekonomike-Tregtare Indo-Kosovare
FOTO/ Nga Asif Iqbal
Ekonomi

Hapet së shpejti Zyra Ekonomike-Tregtare Indo-Kosovare

Muharrem Saragjolli/ Radio Kosova

Edhe pse India nuk e ka njohur Kosovën, kjo nuk po pengon zyrtarë e afaristë nga ky vend të interesohen për bashkëpunim ekonomik me vendin tonë. Për këtë qëllim, së shpejti do të hapet zyra ekonomike-tregtare me përfaqësi në Indi e në Kosovë.

Bashkëpunimi ekonomik mes Indisë e Kosovës është në nivel të ulët. Por potenciali për ngritje të bashkëpunimit në shumë fusha ekziston, ka bërë të ditur për Radio Kosova, presidenti i Organizatës Ekonomike Tregtare Indiane, Dr. Asif Iqbal.

Ai ditët e fundit ka qëndruar në Kosovë ku bashkë me zonjën Payal Kanodia, si dhe afaristin Deepak Kanodia, kanë pasur takime me kryeministrin Albin Kurti, me disa ministri, me Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve, Kiesa etj.

“Zyrën do ta hapim brenda tre muajve. Kur të kthehemi në Indi, do t’i shikojmë modalitetet dhe  mundësitë se si mund t’i sjellim investitorët këtu. Zyra do të fokusohet në bashkëpunim industrial, turizëm, në shëndetësi, arsim e shumë sektorë të tjerë“, tha Iqbal.

Iqbal i fton afaristët nga Kosova të shkojnë në Indi, gjithashtu edhe ata nga India të vijnë në Kosovë.

“Një biznesmen indian mund të përfitojë nga lëvizja e lirë e mallrave të Kosovës me shtetet e rajonit dhe të BE-së. Është mundësi e madhe edhe për biznesin e turizmit, sepse bukuritë që i pamë këtu, mund të krahasohen edhe me Europën Perëndimore. Edhe shpenzimet janë më të vogla, gjë që përbën interes për turistët indianë të cilët kërkojnë destinacione të reja dhe të veçanta”, theksoi ai.

Mosnjohja e Kosovës nga India nuk mund të jetë pengesë në bashkëpunim ekonomik, thotë më tej Dr. Iqbal, pasi edhe zyra do të asistojë në pajisjen më të lehtë të vizave. Dhe kjo diplomaci ekonomike sipas tij, do të mundësojë ngritjen në një nivel tjetër të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Indisë.

E zonja Pajyal Kanodia, e cila është planifikuar të jetë kryetare e zyrës në Indi, ka deklaruar se nga takimet me shumë ministri kanë parë që Kosova ka shumë gjëra për t’i ofruar botës.

“Është vizita ime e parë në Kosovë dhe absolutisht më pëlqeu ky shtet. Dhe çkado që kam lexuar për këtë shtet në Google para se të vija këtu, është e kundërta se çka paraqitet aty. Njerëzit janë të ngrohtë kurse të rinjtë të talentuar që flasin shumë gjuhë...”, thotë ajo.

Zyra Ekonomike-Tregtare që zonja Kanodia do ta drejtojë në Indi, do të ndihmojë edhe në gjetjen e partnerëve afaristë, pasi sipas saj, zyra do të jetë pikë referuese e Kosovës në Indi.

E afaristi Deepak Kanodia, thotë se bashkëpunimi do të jetë përfitues për të dy shtetet. Investimet në Kosovë mund të shërbejnë për plasimin e prodhimeve edhe në tregun e Europës por edhe të Lindjes së Mesme, thotë ai.

“Kosova e ka këtë potencial, sepse është në Europë dhe është një territor ende i pazbuluar, ku do të ketë përplot sinergji për afaristët e të dyja vendeve. Po ashtu e ka një qeveri të re dhe energjike që e kemi kuptuar se po interesohet për zhvillimin e shtetit”, ka thënë zotëri Kanodia.

Zyra Ekonomike Tregtare Indo-Kosovare, në Indi do të ketë selinë në Nju Delhi, përderisa në vendin tonë, ekziston opsioni që zyra të ketë selinë në Prizren.

 

 


APR
Romay Lift