Propozimi i Mujës për shkarkimin e Baljes, nxit debat në Komisionin hetimor
Foto: KP
Ekonomi

Propozimi i Mujës për shkarkimin e Baljes, nxit debat në Komisionin hetimor

KP

Mes tensioneve dhe përplasjeve ndërmjet pozitës dhe opozitës është mbajtur sot mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Krejt kjo ‘zhurmë’ ndodhi pas propozimit të deputetit të Vetëvendosjes, Armend Muja, për largimin e dy anëtarëve nga ky komision për siç u shpreh ai, mungesat e tyre të shumta.

Për shkak të mungesave në mbledhje të Komisionit, më shumë se tri, deputeti Muja ka kërkuar përjashtimin nga Komisioni të deputetes nga Grupi multietnik, Duda Balje dhe deputetit nga Lista serbe, Ljubinko Karagjiq.

Ndërsa, ndaj kësaj kërkese ka reaguar deputetja Duda Balje e cila tha se i di arsyet e kërkesës së VV-së për shkarkim.

Ajo tha se kërkesa e Mujës është ‘puro politike’: “Sepse unë nuk votoj qysh ju po doni unë të votoj”.

“Unë me kohë kam lajmëruar, kam shkuar në vizita zyrtare në bazë të vendimit të Kryesisë. Nuk e di pse keni bërë temë për këtë. Unë i di arsyet, edhe arsyeja është puro politike, sepse unë nuk votoj qysh ju po doni. Edhe ju po dëshironi të më ndërroni me dikë tjetër nga Grupi multietnik, në të cilin keni ju mundësi për të manipuluar. Kjo është arsyeja e vetme. Të gjitha mungesat unë i arsyetoj. Kryetar, i kam pasur të shkruara arsyetimet me ju. I kam të gjitha me shkrim. Nëse Armendi është në deficit të informacioneve, është problem i Armendit, nuk është i imi”, theksoi ajo.

Nënkryetari i Komisionit, Armend Muja mohoi të ketë karakter politik kjo kërkesë. Por sipas tij, kjo është parimore dhe e ligjshme.

“Kërkesa është parimore, kështu e ka paraparë ligji. Nuk po paraqes një kërkesë të paligjshme. Kërkesën e ka paraparë ligji, pikërisht për faktin se ka nevojë për seriozitet, sepse hetimi ka kohën e limituar. Problemi është se ne i kemi dy deputetë që na kanë munguar 5-6 herë. Nuk mund të vazhdohet në këtë mënyrë. Sa i përket kontrollit, VV nuk është e interesuar ta kontrollojë askënd. Në fakt, nuk i përmbushin as kriteret për t’i kontrolluar se nuk vijnë kurrë në mbledhje. Është përgjegjësi e secilit deputet për votën e tij, por duhet t’i përfaqësojë votuesit me pjesëmarrje aktive”, tha Muja.

Në fillim të mbledhjes së sotme, kryetari i komisionit, Hajdar Beqa ka thënë se për mungesën e dy deputetëve ka arsyetime nga Duda Balje dhe Ljubinko Karagjiq.

“Për arsyetimin publik, deputetja Balje, e kam arsyetimin, tri herë më shkrim, dy herë me telefon më ka informuar që ka takime zyrtare. Janë datat, janë orët, janë të gjitha dhe i kam telefonatat. Ljubinko Karagjiq më ka informuar për shumicën e takimeve, ka pasur valluan të sëmurë me kancer, kështu është arsyetuar”, tha Beqa.

Pas kësaj kërkese për përjashtim nga Komisioni, pati reagime dhe përplasje mes deputetit të PDK-së, Hajdar Beqës dhe deputetit të LVV-së Arbër Rexhajt.

Në këtë mbledhje po ashtu pati akuza dhe kundër akuza për korrupsion dhe punësime në KEK mes deputetit të VV-së, Halil Thaci dhe atij nga LDK-ja, Armend Zemaj, pasi që u tha se opozita po ia bën argatin deputetes Duda Balje.

Për shkak të këtyre përplasjeve mbledhjen e Komisionit e kanë braktisur dy deputetët e LDK-së, dhe deputetja Balje.

Komisioni ka vazhduar mbledhjen dhe shqyrtuar propozimin e VV-së për përjashtimin e dy deputetëve minoritarë në fjalë, dhe vendosi ta shtyjë këtë çështje për votim deri në një mbledhje tjetër të radhës.

Ndërsa, ky Komision në mbledhjen e sotme ka vendosur që nga dita e mërkurë e javës së ardhshme të fillojë intervistimi i dëshmitarëve.

Fillimisht, të mërkurën pritet të intervistohen ish-kryeshefi ekzekutiv dhe ish-Bordi i KEK-ut gjatë periudhës 2006-2008.


APR
Romay Lift