Ministrja Rizvanolli kërkon masa për kursimin e energjisë elektrike
FOTO/ Kuvendi i Kosovës
Ekonomi

Ministrja Rizvanolli kërkon masa për kursimin e energjisë elektrike

Afet BELA/ RTKlive

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, nën udhëheqjen e nënkryetares së parë, Jeta Statovci, mbajti sot mbledhjen e radhës.

Para komisionit vendimin e qeverisë për masat e emergjencës në furnizimin e energjisë e arsyetoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Gjatë prezantimit të saj, ministrja Rizvanolli tha se është shumë e rëndësishme që kjo çeshtje të përfundojë para se Kuvendi të shkojë në pushim, meqë situata energjetike në Evropë, sipas saj, ka filluar të përkeqësohet shumë gjatë javëve të fundit. 

"Si Qeveri dhe institucione jemi më të sigurtë të hyjmë në muajt në vijim, duke qenë në gjendje të masave emergjente. Kjo na mundëson të ndërmarrim menjëherë disa masa, duke përfshirë edhe masa për kursimin e energjisë elektrike, përfshirë këtu edhe ndalimin e kriptovalutave, aktivitet i cili shpenzon shumë energji elektrike, në një kohë kur nuk jemi të sigurtë se do të mund ta mbulojmë të gjithë konsumin vendor të energjisë dhe me gjasë duhet të importojmë gjatë muajve të ardhshëm", theksoi ministrja Rizvanolli. 

Sipas saj, është me rëndësi që këto masa të fillojnë që tani, në mënyrë që deri në kohën e vjeshtës dhe dimrit, institucionet por edhe qytetarët të jenë më të përgatitur për të përballuar krizën më lehtë.

Komisioni, pas shqyrtimit të këtij vendimi, vendosi ta përkrah dhe i rekomandoi Kuvendit miratimin e tij. 


APR
Romay Lift