ZRRE-së i kërkohet shqyrtim i jashtëzakonshëm i situatës me energji
Rtklive
Ekonomi

ZRRE-së i kërkohet shqyrtim i jashtëzakonshëm i situatës me energji

N. Mekolli /RTKlive.com

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se ka pranuar sot aplikimin për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU).

Sipas ZRRE-së, FSHU kërkesën e saj e bazon në mos disbursimin e subvencionit të zotuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe situatën e krijuar në tregun e energjisë me shumicë si pasojë e rritjes enorme të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare.

“Në aplikacionin për shqyrtim të jashtëzakonshëm, FSHU thekson se është duke operuar nën kosto, pasi që kostot e FSHU-së nuk janë duke u mbuluar përmes tarifave dhe subvencionit të lartpërmendur, si rezultat i mos disbursimit të subvencionit nga Qeveria e Kosovës. Sipas FSHU-së, vlera e subvencionit për periudhën 9 shkurt-30 qershor 2022 ka tejkaluar shumën prej 32.8 milion euro. Vetëm mungesa e mos disbursimit të subvencionit tejkalon pragun e materialitetit prej 5% ashtu siç parashihet në nenin 11 të Rregullës për të Hyrat e FSHU-së”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

Bëhet e ditur se Rregullatori në propozimin përfundimtar për tarifat e energjisë elektrike me pakicë kishte marrë parasysh alokimin e subvencionit shtesë prej 10 milion euro sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 21.01.2022, si dhe vendimin të datës 05.02.2022, për subvencionimin e energjisë në vlerë 90 milionë euro.

Si rezultat i këtyre vendimeve për subvencionim, tarifat me pakicë për konsumatorët jo-familjar (biznesor) dhe për konsumatorët familjar me konsum mujor deri në 800kWh, mbeten të pandryshuara.

“Vendimet e tilla, kishin marrë në konsideratë përballueshmerinë e tarifave nga konsumatorët e rregulluar, sigurinë dhe vazhdueshmërinë e furnizimit me energji elektrike, si dhe e likuiditetin financiar të ndërmarrjeve të energjisë” thuhet tutje në njoftim.

ZRRE thotë se do të shqyrtojë këtë kërkesë dhe do të mbajë të njoftuar publikun në lidhje me veprimet që do të ndërmerren.

 


MË SHUME NGA Ekonomi