BQE miliarda euro në tregjet me borxhet më të larta
ECB
Ekonomi

BQE miliarda euro në tregjet me borxhet më të larta

Financial Times

Banka Qendrore Europiane po përdor programin e saj të blerjes së bonove, i cili filloi që në periudhën e pandemisë, për të mbrojtur vendet e eurozonës me borxhe të larta nga efektet e vendimit të saj për të reduktuar programet stimuluese, si rrjedhojë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar inflacionin.

Në muajin mars, banka qendrore përfundoi me blerjet neto në vazhdën e programit të saj të blerjeve emergjente për periudhën e pandemisë, por tashmë po fokuson riinvestimet e obligacioneve të maturuara drejt vendeve anëtare të bllokut me një sistem financiar më të dobët.

Ndërmjet muajve qershor dhe korrik, BQE injektoi 17 miliardë euro në tregjet italiane, spanjolle dhe greke, duke lejuar që portofoli i saj për borxhin gjerman, holandez dhe francez të bjerë me 18 miliardë euro, sipas llogaritjeve të Financial Times bazuar në të dhënat e bankës qendrore.

“Devijimi tani është shumë i madh,” tha Frederik Ducrozet, kreu i studimeve makroekonomike në Pictet Wealth Management, në lidhje me riinvestimet e BQE. “Duket se BQE ka qenë shumë aktive duke riinvestuar në vendet periferike pothuajse të gjitha të ardhurat nga vendet kryesore të bllokut.”

Riinvestimet nxjerrin në pah synimin e BQE-së për të ruajtur një kufi për sa i përket kostove të huamarrjes për vende të tilla si Italia dhe për të parandaluar një krizë të borxhit në eurozonë, në një kohë kur banka qendrore po tërhiqet nga politikat monetare lehtësuese që e kanë mbështetur bllokun që nga kriza e borxhit një dekadë më parë.

Këto përpjekje vijnë pasi BQE-ja muajin e kaluar rriti normat e interesit për herë të parë që nga viti 2011, pasi mori vendimin për të përfunduar programin PEPP dhe një skemë më afatgjatë të blerjes së obligacioneve, të quajtur si “programi i blerjes së aseteve”.

Sven Jari Stehn, kryeekonomist për Europën në Goldman Sachs, tha se “fleksibiliteti që është përdorur” në riinvestimin e të ardhurave të obligacioneve që ishin pjesë e programit PEPP ishte “disi më i madh nga pritshmëritë e njerëzve”.

Politikëbërësit e BQE-së dhe investitorët janë të shqetësuar se shtrëngimi i politikave monetare do të zgjerojë hendekun midis ekonomive më të forta dhe më të dobëta të rajonit, i quajtur ndryshe si rreziku i fragmentimit. Kjo bëri që diferencat midis yield-eve të obligacioneve 10-vjeçare italiane dhe atyre standarde gjermane të rriteshin akoma më shumë, duke arritur deri në 2.4 pikë përqindjeje në qershor, një nivel që për herë të fundit u arrit gjatë trazirave të tregut në ditët e para të pandemisë, në vitin 2020.

Që atëherë, diferenca është ngushtuar në rreth 2.1 pikë përqindjeje, pasi BQE-ja u angazhua për t’iu kundërvënë fragmentimit të bllokut. BQE muajin e kaluar tha se fleksibiliteti në riinvestimet e PEPP do të ishte “vija e parë e mbrojtjes” në përpjekjen e saj për të ruajtur një nivel të caktuar të të ashtuquajturave spread-e.

“Mendoj se është diҫka e mirë që ata të jenë të vendosur… është mirë që tregjet të shohin se ata po i investojnë paratë aty ku po thonë se do t’i investojnë,” tha Ducrozet, duke shtuar se “mesazhi i qartë është se ata po e përdorin këtë fleksibilitet pothuajse në maksimumin e mundshëm”.

Banka qendrore gjithashtu vendosi muajin e kaluar një instrument të ri të mbrojtjes së transmetimit, i cili mund të përdoret në rast se riinvestimet e PEPP nuk arrijnë të mbajnë nën kontroll spread-et. Ky instrument i jep mundësi BQE-së të blejë pa kufizim obligacionet e çdo vendi që ajo mendon se po përballet me presione nga tregu, të cilat nuk lidhen me perspektivën ekonomike. Investitorët kanë qenë duke ndjekur me kujdes spread-et italiane për të përcaktuar momentin se kur BQE mund të ndërhyjë. Shumë prej tyre e konsiderojnë nivelin 2.5 pikë përqindjeje si ҫastin kur BQE pritet të ndërhyjë.

Megjithëse BQE nuk e ka përdorur ende këtë instrument të ri, riinvestimet e PEPP tregojnë se sa të gatshëm janë politikëbërësit për të mbajtur nën kontroll.

Jari Stehn tha se ky ishte “hapi i parë për mbrojtjen kundër rrezikut të fragmentimit, por gjithsesi mbetet për t’u parë nëse apo kur do të aktivizohet instrumenti i mbrojtjes së transmetimit”.


MË SHUME NGA Ekonomi