Shqipëri, dyfishohen eksportet e produkteve të peshkut
Ekonomi

Shqipëri, dyfishohen eksportet e produkteve të peshkut

ATSH

Eksportet e peshkut të freskët dhe të përpunuar u rritën me 22.3%, gjatë 3- mujorit të parë të këtij viti.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, zgjerimi i eksportit të këtij sektori është mbështetur nga rritja e investimeve në industrinë përpunuese, prodhimet e të cilave janë mjaft të kërkuara nga tregjet e huaja.

Sektorit të peshkimit vitet e fundit i janë krijuar një sërë lehtësish fiskale, si heqja e akcizës për karburantin, heqja e taksës së karbonit, zero TVSH për rrjetat, anijet, pajisjet elektronike, zero TVSH frigoriferëve, motorëve të anijeve të peshkimit.

Referuar të dhënave të INSTAT në 3- mujorin 2022, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 20.503 tonë nga 16.892 tonë që ishte në vitin 2021, duke shënuar një rritje me 9,53 %.

Kategoritë kryesore që zënë përqindjen më të lartë të peshkimit janë, “Akuakultura” me 43,60 % dhe peshkimi “Detar” me 28,06 %, pasuar nga “Ujërat e brendshme” me 19,15 %, ndaj prodhimit gjithsej.

Gjatë kësaj periudhe rritjen më të madhe, e ka shënuar kategoria “Laguna” me 248,64 % të zënieve gjithsej, krahasuar me një vit më parë, ndjekur nga kategoria “Bregdeti” me 127,87 % dhe kategoria “Molusqe” me 108,0 %.

Për sa i përket kategorive ujore, det, bregdet dhe laguna, specia e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe të zënë është “Açuga” me 19,04 % ndaj zënieve gjithsej, pasuar nga “Karkaleci i thellësisë” me 16,42 % dhe “Merluc” me 11,16 %.

46 operatorë të peshkimit janë përfitues të thirrjes së tretë të granteve të peshkimit me një shumë investimi mbi 820 mijë euro, e cila mbylli aplikimet në fundi të muajit qershor.


MË SHUME NGA Ekonomi