Kurti vizitoi fabrikën DAKA Therm, përfituese Pakos ekonomike
Ekonomi

Kurti vizitoi fabrikën DAKA Therm, përfituese Pakos ekonomike

Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë vazhduar sot vizitën tek prodhuesit vendorë, përkatësisht te fabrika Daka Therm në Pozharan.

“Kompania Daka Therm është gjithashtu përfituese e masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, mbështetje me të cilën ka arritur të ngrisë kapacitetet në prodhimin e materialeve termo-izoluese, përkatësisht në prodhimin e stiropolit”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

Bëhet e ditur se pas vizitës në fabrikë, kryeministri Kurti theksoi se Daka Therm është shembull se si mbështetja nga Qeveria jep rezultate konkrete te bizneset prodhuese, si në zhvillimin e biznesit, ashtu edhe në rritjen e punësimit.

"Duke iu falënderuar masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike është rritur për 25 numri i punëtorëve në këtë fabrikë, të cilës i urojmë edhe më shumë suksese në të ardhmen", tha kryeministri Kurti.

Ministri Murati u shpreh se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të vazhdojë me mbështetjen ndaj prodhuesve vendorë, ashtu që të rritet prodhimi, punësimi e eksporti.

“Përfaqësuesit e fabrikës DAKA Therm, u shprehën falënderues ndaj Qeverisë për mbështetjen në blerjen e makinerive, të cilat kanë ndikuar dukshëm në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e veprimtarisë tyre”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Ekonomi