Ndryshimi i klimës të sëmur: bota në rrezik nga kriza e shëndetit
Rtklive
Shëndetësi

Ndryshimi i klimës të sëmur: bota në rrezik nga kriza e shëndetit

DW

Shkencëtarët kanë dhënë alarmin: Shumë sëmundje bëhen më rezistente kur moti kalon në ekstreme si nxehtësia dhe përmbytjet. Imuniteti bie dhe sëmundjet përhapen më shpejt nëpër botë.

Ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu favorizon shumë përhapjen dhe shpërthimin e sëmundjeve infektive. Në këtë përfundim kanë ardhur autorët e një studimi të Universitetit të Havajit, botuar në revistën shkencore "Nature".  "Ishte e tmerrshme të shikoje çfarë rreziku përbëjnë emisionet e dioksidit të karbonit për shëndetin,” thotë Camillo Mora, profesor në shkollën College for Social Science në Universitetin e Havajit dhe autori kryesor i studimit. 

Studiuesit panë gjatë vlerësimit të më shumë se 800 punimeve shkencore se 58 përqind e sëmundjeve infektive të studiuara bëhen më rezistente nga ndryshimi i klimës. Në më shumë se tre mijë raste u dëshmua lidhja që ekziston midis tyre. Nga 375 sëmundjet e studiuara, sipas studimit, 160 mund të bëhen më rezistente nga nxehtësia, 121 nga përmbytjet, 71 nga stuhitë, 81 nga thatësira dhe 43 nga ngrohja e detrave.

"Trazirat shoqërore të krijuara nga pandemia e COVID-19 japin një vlerësim shqetësues për krizën në rritje të shëndetit të nxitur nga ndryshimi i klimës,” thuhet në studim. 

Ndotje e ujrave nga thatësirat dhe stuhitë 

Lidhjet midis ndryshimit të klimës dhe sëmundjeve janë shumë të ndryshme: Mungesa e ujit dhe ushqimit shkaktuar nga thatësirat bëjnë për shembull që kafshët e egra të guxojnë t'i afrohen më shumë zonave të banuara. Nga kjo rritet rreziku për njerëzit, të cilët infektohen me sëmundje të transmetueshme nga kafshët dhe parazitët. 

Thatësirat bëjnë që njerëzit të jenë të detyruar të pijnë ujëra të ndotura. Kështu shkaktohen sëmundjet e diaresë ose kolerës. 

Stuhitë, reshjet e mëdha dhe përmbytjet mund të dëmtojnë rrugët, kabllot e rrymës ose sistemin e ujrave të zeza dhe të ndërpresin furnizimin me ujë të pastër dhe të pijshëm. Ngjarje të tilla kanë bërë në të kaluarën që të shpërthejnë hepatitis A dhe E, sëmundja e rotavirusit dhe e tifos.  

I nxehti dobëson sistemin imunitar 

Një pikë tjetër: Sistemi imunitar dobësohet nga ushqimi i pamjaftueshëm që shkaktohet nga thatësirat dhe nga rrymat e të nxehtit, duke u bërë më i ndjeshëm ndaj sëmundjeve. Edhe stresi dhe ekstreme të tjera moti mund ta dobësojnë sistemin imunitar të njerëzve dhe kafshëve.  

Studiuesit kanë parë për shembull se nxehtësia dhe mungesa e ushqimit bëjnë që lakuriqët e natës të sekretojnë më shumë viruse duke favorizuar kështu shpërthimin e virusit hendra. Ai mund të shkaktojë infeksione të rënda të trurit tek njerëzit. Shkencëtarët kanë identifikuar gjithsej më shumë se 1000 mundësi të ndryshme, që tregojnë se si ndryshimi i klimës nxit shpërthimin e sëmundjeve. 

Mushkonjat sjellin sëmundje tropikale në Europë 

Temperaturat e larta jo vetëm që nxisin përhapjen e patogjeneve dhe rrisin rrezikun e infektimit, ato favorizojnë edhe përhapjen e transmetuesve, të ashtuquajturve "vektorë”. Këta bëjnë për shembull që mushkonjat ose parazitët e tjerë të shumohen në zonat e ngrohta. Nga ngrohja e tokës, ato mund të jetojnë edhe në rajone që nuk kanë qenë banuar më parë prej tyre. 

Studimi ka gjetur më shumë se 100 sëmundje të përhapura nga vektorët, që bëhen më rezistente nga ndryshimi i klimës.  

"Në Gjermani dhe në Europë ne shohim tani ndikimin e aktiviteteve që varen nga klima mbi nxitësit e sëmundjeve,” thotë Dr. Renke Lühken nga institute Bernhard-Nocht për mjekësinë tripikale në Hamburg (BNITM), kur flet për Deutsche Wellen. Virologu është ekspert për sëmundjet që përhapen nga insektet dhe nuk ka marrë pjesë në studimin, për të cilin u fol më sipër.

Përhapje e mushkonjave agresive   

Ekspertët shqetësohen shumë për përhapjen e mushkonjës aziatike, mushkonjës tiger, thotë Lühken. Ato janë duke u vendosur në pjesë të tjera të Europës është "sidomos përgjegjëse për shpërthimin e virusit Chikungunya dhe virusit Dengue-Virus në Mesdhe,” thotë virologu më tej. "Ajo është shumë agresive dhe e depërtueshme. Ajo është në gjendje të transmetojë tek njeriu më shumë se 20 viruse të ndryshme dhe të zerë vendin e mushkonjave vendase. Përveç kësaj ajo është shumë e adaptueshme, sa i përket zgjedhjes së vendit të shumimit,” shton Artur Jöst, biolog dhe ekspert për mushkonjat aziatike tiger në institutin e dipterologjisë në Speyer. 

Virusi i këpushës dhe ethet Dengue çojnë në temperatura të larta te njeriu, acarim të lëkurës dhe dhimbje koke, kockash dhe gjymtyrësh. Në një studim të vitit 2020, studiuesit e Universitetit të Xhorxhias, SHBA paralajmërojnë se deri në vitin 2050 më shumë se 1,3 miliardë vetë do të jetojnë në zonat ku është i përhapur virusi i këpushës. Më shumë se 700 milionë vetë do të jetojnë në temperatura që e bëjnë transmetimin të mundshëm gjatë gjithë vitit. 

"Kjo është shqetësuese, sepse ekzistojnë pak vaksina të lejuara kundër këtyre patogjenëve,” thotë Lühken nga BNITM. 17 përqind e gjithë sëmundjeve infektuese transmetohen nga vektorët. Gati 700 milionë vetë sëmuren çdo vit nga një sëmundje që transmetohet nga mushkonjat, më shumë se një milion humbasin jetën. 

Reduktimi i CO2 ndihmon luftimin e sëmundjeve 

Presidenti i institutit Robert Koch (RKI), Lothar Wieler, bën thirrje që t' i kushtohet më shumë vëmendje sëmundjeve ekzotike në Gjermani. "Ndryshimi i klimës ka bërë që në  Gjermani të zgjerohet hapësira ku jetojnë mushkonjat dhe këpushat ", thotë Wieler para gazetarëve. "Shumë lloje mushkonjash dhe këpushash mund të transmetojnë patogjenë infeksionesh viralë, bakterialë dhe parazitarë,” thotë Wieler. "Edhe kthimi i malarjes është i mundshëm." 

Sipas shkencëtarëve të studimit të botuar në "Nature" është e vështirë dhe gati e pamundur, të pengosh përhapjen e sëmundjeve që nxiten nga ndryshimi i klimës, ose të përshtatesh me to. Sepse patogjenët dhe rrugët e transmetimit janë të shumta. Prandaj ata mendojnë se duhet "trajtim agresiv” për reduktimin e emisioneve të gazrave që shkaktojnë efektin serë. 


MË SHUME NGA Shëndetësi