Komiteti Teknik Emergjent detyra shtesë KEK-ut për sigurim të energjisë
Rtklive
Foto: KEK/ Facebook
Ekonomi

Komiteti Teknik Emergjent detyra shtesë KEK-ut për sigurim të energjisë

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se ka marrë detyra shtesë nga Komiteti Teknik Emergjent për të siguruar energji elektrike edhe përkundër faktit për, siç thonë, kjo është përgjegjësi e furnizuesit publik.

Përmes një njoftimi për media KEK-u ka bërë të ditur se ky komitet i ka kërkuar që të shfrytëzojnë 7 milionët e mbetura nga subvencionimi i qeverisë për import të energjisë.

“KEK-u sot ka pranuar disa rekomandime nga Komiteti Teknik për Energji. Rekomandimi kryesor është që KEK të shfrytëzojë mjetet e mbetura (rreth  7 milionë Euro.) nga subvencioni i bartur nga Qeveria e Kosovës për import të energjisë elektrike për të mbuluar kërkesën vendore, pra me qëllim të furnizimit të pandërprerë dhe eliminimit të devijimeve. Aktualisht, KEK-u është duke punuar intensivisht me Ministrinë e Ekonomisë në finalizimin e marrëveshjes për jetësimin e rekomandimeve të Komitetit Teknik të Energjisë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, aty theksohet se në kohën kur në vend rritet konsumi, KEK-u po vazhdon të pranojë një sasi të caktuar të energjisë elektrike nga Korporata Elektro-energjetike Shqiptare.

“Kjo sasi po merret nga depozitimi që KEK-u kishte bërë për disa muaj në KESH dhe po vazhdon të depozitojë sa herë që KEK-u ka teprica. E gjithë kjo me qëllim furnizimit të konsumatorëve fundor dhe evitimin e reduktimeve. Në këtë drejtim, KEK-u deri më tani ka depozituar mbi 120.000 MËh, ndërsa gjatë 4 ditëve të fundit nga KESH-i kemi pranuar rreth 3,500 MËh”, përfundon njoftimi nga Korporata Energjetike e Kosovës.

 

 


MË SHUME NGA Ekonomi