Inflacioni në botë, më i larti që nga viti 1997
Rtklive
Ekonomi

Inflacioni në botë, më i larti që nga viti 1997

Norma vjetore e inflacionit në 27 vendet e Bashkimit Evropian ishte 9.8 për qind në korrik, tregojnë së fundmi shifrat e lëshuara nga agjencia e statistikave e BE-së, ndërkaq inflacioni në 19 vendet anëtare që përdorin euron arriti në 8.9 për qind. Kjo është norma më e lartë e inflacionit e raportuar që nga viti 1997, kur Eurostat filloi regjistrimin e statistikave.

Inflacioni në eurozonë u rrit në një nivel të ri rekord prej 8.9 për qind nga viti në vit, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Agjencia e Statistikave të Bashkimit Evropian tha se rritja e çmimeve të konsumit në 19 vendet që përdorin euron ishte rritur më tej nga rekordi i mëparshëm prej 8.6 për qind i regjistruar në qershor.

Ngritja u nxit kryesisht nga çmimet e larta të energjisë dhe ushqimit, dhe ato në sektorin e shërbimeve, të cilat përbëjnë më shumë se dy të tretat e prodhimit ekonomik të eurozonës, tha Eurostat.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se inflacioni bazë, arriti në 5.1 për qind në korrik. Shumë nga 19 vendet e eurozonës kanë arritur inflacion dyshifror, me Spanjën që regjistron 10.8 për qind, Greqinë 11.6 për qind, Poloninë 15.7 për qind, Republikën Çeke 17.5 për qind dhe Lituaninë dhe Letoninë të dyja mbi 21.5 për qind.

Analistët e tregut besojnë se kostot e energjisë në Evropë do të vazhdojnë të rriten pasi Bashkimi Evropian vazhdon të reduktojë përdorimin e gazit rus në të ardhmen dhe inflacioni në kontinent pritet të vazhdojë të rritet në të ardhmen.

Eurozona filloi të rrisë seriozisht normat e interesit në korrik në një lëvizje prej 50 pikësh bazë për të frenuar inflacionin, duke i dhënë fund viteve të lehtësimit monetar.

Me rritjen e çmimeve në Evropë, gazi po bëhet shumë i shtrenjtë në pjesë të tjera të botës. Që nga fillimi i verës Pakistani aplikon ndërprerje të vazhdueshme të energjisë dhe duke i ngritur faturat sepse nuk mund të sigurojë më karburant të mjaftueshëm.

Sri Lanka po negocion një ndihmë me Fondin Monetar Ndërkombëtar, pasi çmimet e larta të gazit shkaktuan protesta masive publike që çuan në rrëzimin e presidentit Gotabaya Rajapaksa muajin e kaluar.

Me çmimet e gazit që pritet të mbeten të larta për të ardhmen e parashikueshme, disa projekte të profilit të lartë të gazit në Azi janë anuluar gjithashtu.

Javën e kaluar, qeveria e Bangladeshit njoftoi anulimin e dy termocentraleve të mëdhenj me gaz, ndërsa grupet e fushatës dhe studiuesit në vend vazhdojnë të kërkojnë burime më të lira të rinovueshme.


MË SHUME NGA Ekonomi