Jep dorëheqje Sokol Havolli, Zv/guvernator i BQK-së
A.Bela / RTKlive
Zv/guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Sokol Havolli, sot ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar edhe Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti i cili ka thënë se nuk i di arsyet e dorëheqjes së tij.
“Po është fakt. Letrën ende nuk e kam lexuar, por është e protokoluar. Nuk i di ende arsyet”, ka thënë Mehmeti për RTKlive.
Ndryshe Z. Sokol Havolli është emëruar Zëvendësguvernator për Mbikëqyrje Financiare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës më datën 1 korrik 2018 nga Bordi i BQK-së.
Në këtë pozitë, ai ishte ngarkuar për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e institucioneve financiare, të cilat operojnë në Republikën e Kosovës, duke përfshirë bankat, fondet pensionale, kompanitë e sigurimit, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare.
Në të njëjtën kohë, z. Havolli ishte edhe anëtar i Bordit Ekzekutiv të BQK-së.























