Bislimi: Mjetet e IPA-s do të përdoren në projektin e filtrave në TC Kosova
BKT
Foto RTK
Ekonomi

Bislimi: Mjetet e IPA-s do të përdoren në projektin e filtrave në TC Kosova

Arlinda Sejda/ RTK

Një varg projektesh do të financohen nga IPA 2022. Janë rreth 64 milionë euro që u nënshkruan gjatë ditës nga Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian. Shumica e parave të siguruara, grante nga Komisioni Evropian, do të shkojnë në ndërrimin e filtrave të termocentralit Kosova B, realizimi i të cilit fillon në vitin 2024.

Investimet në filtrat e termocentralit Kosova B do të nisin në vitin 2024. Ky projekt ishte planifikuar të bëhej para dy vitesh, por pandemia Covid-19 i shtyu planet për katër vite më vonë.

Financimi i këtij projekti është përmendur pas nënshkrimit të programit financuar vjetor të IPA-së në vlerë prej 63.96 milionë eurosh, që u bë nga zv/kryeministri Besnik Bislimi dhe shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

"Duke pa rëndësinë që ka projekti i vendosjes së filtrave në Kosovën B, shumicën absolute të mjeteve të kursyera i kemi bartë tek projekti i filtrave për Kosovën B e cili pritet të fillojë me zbatim në vitin 2024", tha Bislimi.

Kurse shefi i Zyrë së BE-së, Tomas Szunyog, tha se përkrahja për Kosovën do të vazhdojë.

 "Tani po shohim në projekte konkrete. Po përmend disa prej tyre që janë më të mëdha. Por, sërish fokusi është në mjedis, mbrojtje. Kjo është pjesa më ë madhe e paketës e 16 milionë eurove për mbrojtjen e mjedisit, mirëpo ka edhe një shumë të madhe të parave për përmirësimin e strukturave komunale", tha ai.

Kosova është përfituese e IPA-së prej viti 2007 me gjithsej 1.2 miliard euro të financuara nga BE-ja, që mbetet partneri më i madh tregtar i Kosovës dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare.


MË SHUME NGA Ekonomi