Oda Gjermane organizon ‘Javën e Gjelbër dhe Digjitale’
BKT
FOTO/ Oda Gjermane
Ekonomi

Oda Gjermane organizon ‘Javën e Gjelbër dhe Digjitale’

Afet BELA/ RTKlive

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare nga 12 deri me 15 Shtator do të organizojë evente të ndryshme në kuadër të  ‘Javës së Gjelbër dhe Digjitale’.

Drejtoresha Menaxhuese e OEGJK-së Nora Hasani theksoi rëndësinë e kësaj jave pasi që përveç diskutimeve me panelistë të dëshmuar në fushën e tyre, do të bëhet gjithashtu publikimi i tri raporteve të cilat do të trajtojnë 1) digjitalizimin e proceseve biznesore tek ndërmarrjet prodhuese në Kosovë, 2) potencialin për energji të ripërtëritshme në Kosovë si dhe 3) analizë e modelevetë reduktimit të konsumit të energjisë në ndërtesat e banimit dhe mundësitë që iu ofrohen bizneseve nga këto modele.

Drejtoresha Hasani potencoi se rekomandimet nga këto raporte do të adresohen te institucionet përkatëse.

“Java do të fillojë me një diskutim rreth bankimit digjital dhe tradicional ku panelistët të cilët janë të dëshmuar në sektorin e tyre si CEO e Procredit Bank, CEO e Raiffeisen Bank, Drejtori për Mbikqyrje Bankare në BQK, CEO i OneFor, CEO i Swinto dhe CTO i Paysera, do të diskutojnë lidhur mendikimin e digjitalizimit në industrinë e shërbimeve financiare,çfarë ndryshimesh kanë ndodhur dhe si këto ndryshime po mbështesin nevojat dhe funksionimin e sektorit privat. Në ditën e dytë do të diskutohet lidhur me rritjen e kapaciteteve konkurruese përmes digjitalizimit të proceseve të biznesit në Kosovë ku panelistët me ekspertizë të dëshmuar nga BERZH, Procredit Bank, Cacttus dhe Instituti Riinvest do të theksojnë mënyrat se sido të duhet lehtësuar dhe avancuar politikat dhe veprimet drejt digjitalizimit të proceseve të biznesit për komunitetin e NVM-ve në Kosovë. Në të njëjtën ditë do të bëhet publikimi i raportit me titull “Rritja e kapaciteteve konkurruese përmes digjitalizimit të proceseve të biznesit në Kosovë””, tha ajo.

Në ditën e tretë do të diskutohet lidhur me mundësitë dhe sfidat e përdorimit të eficiencëssë energjisë në ndërtesat e banimit.

Panelistët me ekspertizë në sektorin e energjisë nga GIZ, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike/Universiteti i Prishtinës, MCC dhe ekspert të energjisë do të theksojnë sfidat e tregut për sektorin privat në sektorin e energjisë së pastër në Kosovë, por në të njëjtën kohë edhe potencialin që ofron ky sektor.

Në të njëjtën ditë do të bëhet publikimi i raportit me titull “Modelet e reduktimit të konsumit të energjisë në ndërtesat e banimit”.

“Në ditën e katërt do të diskutohet lidhur me parimet e Qeverisjes mjedisore, sociale dhe të korporatave (ESG) respektivisht Transparenca dhe shpalosja e informacionit. Paneli në përbërje të përfaqësuesit nga IFC, Procredit Bank, Shoqata e Kontabilistëve dhe Auditorëve të Certifikuar dhe kompanisë gjermane HPC International do të diskutojnë se si mund të përdoren kriteret e ESG për të inkurajuar kompanitë të veprojnë me përgjegjësi”, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.

 


MË SHUME NGA Ekonomi