Mbahet mbledhja e parë e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi
Rtklive
Foto: Qeveria e Kosovës
Shëndetësi

Mbahet mbledhja e parë e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Pak kohë pas formimit me vendim qeveritar, gjatë orëve të pasdites nën drejtimin e kryeministrit Albin Kurti është mbajtur mbledhja e parë e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi.

Shefi qeveritar në këtë takim të parë si drejtues i këtij Komisioni  ka thënë se besimi i qytetarëve në ndryshim është i madh dhe se ky besim duhet të korrespondojë me vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë, për të iu qasur sfidave me seriozitet.

“Qytetari në rend të parë e ka shëndetin, dhe kujdesin ndaj të njëjtit duhet ta gëzojë, pa pagesë, nga profesionistët në çdo kohë. Përkushtimi im e koha ime nuk do të mungojë në asnjë moment”, citohet të ketë thënë në takim kryeministri.

Siç bëhet e ditur nga komunikata qeveritare ministri Shëndetësisë, Rifat Latifi ka thënë se secili prej anëtarëve të Komisionit ka shumë punë përpara.

Në këtë takim, përpos diskutimit mbi përgjegjësitë e Komisionit, u bë edhe ndarja punëve dhe përgjegjësive të anëtarëve të këtij Komisioni.

Sipas vendimit të sotëm të Qeverisë, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi përbëhet nga kryeministri, ministri i Shëndetësisë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, zëvendësministrja dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, këshilltari i Kryeministrit për Shëndetësi, këshilltari i Kryeministrit për Teknologji të Informacionit, zëvendësuesja e drejtores së ShSKUK-së dhe kryetarja e Bordit të ShSKUK-së.

Aty janë bërë të ditura edhe përgjegjësitë që ka ky Komision.

1. Analiza dhe definimi i ndarjes dhe bashkëpunimit publiko-privat në shëndetësi;
2. Zhvillimi i sistemit informativ në shëndetësi për ta informatizuar në tërësi sistemin shëndetësor, në të gjitha nivelet (primar, sekondar, terciar) e sektorët (privat dhe publik)
3. Reformimi i ShSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale;
4. Zhvillimi i sektorit publik të shëndetësisë në kuptim të ngritjes së kapaciteteve të shërbimit e kujdesit shëndetësor dhe ndërlidhjes me studimin e punën universitare dhe shkencore;
5. Themelimi i Spitalit Rajonal të Prishtinës.
6. Ndërveprimi me pesë odat e profesionistëve shëndetësorë: të mjekëve, të infermierëve, të stomatologëve, të farmacistëve dhe të fizioterapeutëve.

 


MË SHUME NGA Shëndetësi