Dëmet nga vërshimet, bujqit rahovecianë kërkojnë ndihmë institucionale
Rtklive
Ekonomi

Dëmet nga vërshimet, bujqit rahovecianë kërkojnë ndihmë institucionale

Myrvete Axhami/RTK

Dje, në disa komuna të Kosovës vërshimet shkaktuan dëme materiale nëpër shtëpi të ndryshme dhe bujqësi.

Bujqit e komunës së Rahovecit kërkojnë ndihmë institucionale për të dalë nga situata e krijuar nga vërshimet që përfshinë tokat e tyre bujqësore, që kishin prodhimet e gatshme për treg.
Një ditë pas vërshimeve në komunën e Rahovecit, Hamzë Berisha nga Fortesa mjaft i shqetësuar ka dalë të shikojë dëmet në parcelat e tij të mbjella me speca. Ai thotë se e gjithë familja e tij merret me bujqësi, ndërsa mbijetesën e siguron nga prodhimet bujqësore.
“Në familje jemi tetë anëtarë që punojmë askund nuk jemi në punë të tjera. Kam edhe token time, por kam edhe me qira. Kjo është me qira 50 ari, ndërsa pjesa tjetër është toka ime”, delkaroi Hamzë Berisha, bujk.
“S’kemi mundur as me e mbledh bereqetin , sidomos pjeprin . 80% ka sharruar krejt, tash nuk e di”, theksoi Hajrullah Deliu, bujk.
Fortesa pëson vërshime shpesh, ndërsa Bejtullah Kelmendi thotë se duhet të ndërhyhet në lumin Bellaja për të evituar përmbytjet .
“Me folë të drejtën fshati jonë po ballafaqohet shpesh me vërshime, se punimet, po i bjen pak si kritik, nuk po bëhen me rregull, sepse në vend që të hapet reka në fund, atje prej Bellajës përpjetë po jepen tenderat nga Rahoveci. Pesë lumenj e kanë vërshuar Fortresën”, tha  Bejtullah Kelmendi, Fortesë.
Përfaqësuesi i fshatit shpreson që së pari do të ndihmohen ekonomitë familjare, pasi koha po ftohet.
“Një shpresë e vogël na erdh pasi dje e pamë edhe fizikisht edhe përmes mjeteve të informimit se ishin këtu dy ministra. Po shpresoj se nuk kanë ardhur sa për sy e faqe. Shpresoj se do të na ndihmojnë, së pari këta të amvisërisë e shtëpitë për vendqëndrim e më pas edhe për bujqësinë”, tha Ilmi Popaj, përfaqësues i Fortesës.
Sipas drejtorit të bujqësisë, Berat Duraku, nga e hëna komisioni për vlerësimin e dëmeve do të dalë në terren.
“Sipërfaqja me mbi 3 mijë hektarë janë të dëmtuara në kulturat me prodhime të gatshme e që, kryesisht, janë në sektorin e perimeve, konkretisht speca dhe lakër”, tha, mes tjerash, Berat Duraku, drejtor i bujqësisë në Rahovec.

 

 


MË SHUME NGA Ekonomi