Qeveria sonte pritet të vendos për ndalim të eksportit të peletit
Rtklive
Foto: RTKLive
Ekonomi

Qeveria sonte pritet të vendos për ndalim të eksportit të peletit

J.Musliu/RTKlive

Duke u bërë thirrje qytetarëve që të gjejnë forma alternative për ngrohje, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bëri të ditur se në mbledhjen e Qeverisë që mbahet më 20 shtator (sonte) do të merret vendimi për ndalimin e eksportit të peletit dhe lëndëve të tjera djegëse me bazë druri, duke shtuar se ka mungesë të peletit në tregun e Kosovës.

Përveç se ka mungesë të peletit në tregun e Kosovës, çmimi i kësaj lënde djegëse është rritur po ashtu. Më 2021, një ton pelet kushtonte rreth 200 euro, ndërkaq sivjet ai po shitet për 450 euro.

“Është në dorën e secilit prej nesh që të bëjmë diçka për këtë, ne si institucione jemi duke e bërë maksimumin. Nëse ne të gjithë e bëjmë maksimumin, nëse jo rasti më i mirë i furnizimit të rregullt, atëherë sigurisht që nevoja për reduktime do të minimizohet”, tha Rizvanolli.

Ajo u shpreh se reduktimet e energjisë do të jenë të pashmangshme gjatë dimrit. Ministrja Rizvanolli tha se shoqëria kosovare duhet të diskutojë se sa është e gatshme të paguajë për importin e energjisë, teksa përmendi se së fundmi, shtetet e rajonit po blejnë 1 megavat energji për 1.000 euro.

Këto komente, ministrja Rizvanolli i bëri gjatë vizitës në KEK.


MË SHUME NGA Ekonomi