Bregu: Dixhitalizimi kërkon një qasje ndër breza
Rtklive
Ekonomi

Bregu: Dixhitalizimi kërkon një qasje ndër breza

Fadil Sertolli/ RTKlive

RCC e mbështet edicionin e 5-të i Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor, në Prishtinë, duke organizuar një panel mbi përfshirjen sociale dixhitale dhe arsimin

Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) në hapja e Samitit të 5-të Dixhital të Ballkanit Perëndimor (WBDS)  në Prishtinë, tha se kjo është një ditë e shënuar për Prishtinën, që është kthyer në qendrën e gravitetit, të një prej nismave më të mëdha të Procesit të Berlinit – Samiti Dixhital i Ballkanit Perëndimor.

Prishtina, sipas saj, është më dinamike nga bizneset e reja, kompanitë e IT-së, ekspertët që po shfrytëzojnë potencialet digjitale, për zhvillimin e rajonit tonë.

“Është e njëjta frymë dhe energji që kemi ndjerë nga afër, vetëm dy javë më parë, kur organizuam - Balkathon 3.0. Përpjekjet dhe vullneti i të rinjve, janë një forcë e madhe dhe frymëzuese, që na detyron ne, politikëbërësit, të punojmë shumë më shumë, duke ndjekur inteligjencën dhe ritmin dinamik të tyre”, tha Bregu.

Sipas saj, dixhitalizimi në rajonin tonë ka dy anë të medaljes.

“Nga njëra anë, duhet të theksojmë se ka shenjuar përparime të mëdha me përhapje të gjerë dhe përvetësim masiv të shërbimeve elektronike; Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit po bëhet një shërbim kryesor eksportues dhe një aset ekonomik për shumicën e ekonomive tona,” tha Bregu duke marrë më tej si shembull Kosovën*, që është shtëpia e një numri të madh talentesh të klasit botëror.

Sipas saj, nga ana tjetër duhet të kujtojmë se rajoni ynë në këto kohët e fundit po përballet me sulme kibernetike tejet serioze.

“Njohuria jonë digjitale është ende e ulët (24% në 47% krahasuar me 54% që është në BE), siç është edhe niveli i ndërveprimit ndërkufitar. Ndaj marrin më shumë hov e zënë më shumë rrënjë lajmet e rreme dhe disinformimi. Prandaj rajoni ka nevojë për më shumë bashkëpunim, dhe jo ​​më pak. Është e rëndësishme të ndajmë argumentet e përditshme dhe dashakeqe (të cila shpesh nxiten nga anonimiteti digjital dhe nga perceptimi i ndasive që krijon të qenit online dhe jo ballëpërballë) nga faktet, nga e vërteta dhe nga realiteti. Dixhitalizimi është një nga sfidat më të mëdha të këtij shekulli dhe si i tillë kërkon një qasje rajonale dhe evropiane. Ajo kërkon gjithashtu një qasje ndër breza - duke mbajtur në zemër si prioritetet mirëqenien e të rinjve tanë. Agjenda e Tregut të Përbashkët Rajonal, për të cilën janë përkushtuar liderët tanë, ka një sërë masash që mbështesin transformimin dixhital të rajonit tonë. Zbatimi i plotë i tyre drejt një tregu digjital pa probleme në Ballkanin Perëndimor mund të jetë një ndryshim i vërtetë dhe i theksuar në trajektoren e rritjes së rajonit tonë”, shtoi Bregu.

Sekretarja e Përgjithshme, ishte e pranishmenë ceremoninë e hapjes se Samitit, ku ishin të pranishëm Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi; Komisionerja Evropiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel; Kryeministri i Kosovës*, Albin Kurti; Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë Belinda Balluku; Sekretari i Shtetit në Ministrinë Federale Gjermane për Dixhitalizim dhe Transportin, Stefan Schnorr; Ministrja e Ekonomisë së Kosovës*, Artane Rizvanolli dhe Roberto Viola, Drejtor i Përgjithshëm i DG Connect.

“Ky Samit vjen në një moment të veçantë për rajonin tonë. Ndërkohë që krizat gjeopolitike, e inflacionit, energjitike, ushqimore, klimaterike, dhe të tjera janë të pranishme, ne po përpiqemi, gjithashtu, të gjejmë disa gjëra pozitive: 1. hapjen e vonuar për një kohë të gjatë të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, 2. Fjalimin inkurajues për gjendjen e Bashkimit Europian të Presidentit të Komisionit von Der Leyen për të ardhmen e rajonit tonë në BE, ose 3. njoftimet pozitive të fundit nga Gjermania, Franca dhe Polonia për vazhdimin e procesit të Berlinit, si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ndërkohë, do të duhet të vazhdojmë të insistojmë që hapat e guximshëm, vendimtarë dhe të përcaktuar, për anëtarësimin e rajonit tonë në BE, të ndërmerren pa vonesa të mëtejshme, duke përfshirë liberalizimin e vizave për Kosovën dhe statusin e vendit kandidat për Bosnjë & Hercegovinën”- përfundoi Bregu.

Më vonë sot, RCC dhe Komisioni Europian do të organizojnë panelin e titulluar “Dixhitalizimi dhe  Gjithëpërfshirja bërë së bashku” duke u fokusuar në nevojat specifike të grupeve të ndryshme sociale në sipërmarrjen dhe edukimin dixhital, duke prezantuar histori suksesi nga rajoni dhe përfitimet e dixhitalizimit. Paneli do të drejtohet nga Georgi Dimitrov, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme për Arsim, Rini, Sport dhe Kulturë, ndërsa moderatori do të jetë Marius Jitea. Panelistët janë Redzep Ali Cupi, Drejtor i Fondit për Arsimin e Romëve; Petrica Dulgheru, nga Iniciativa për Zhvillimin e Sipërmarrjes Rome; Marko Serafimovski, nga Semos Education; dhe Nikolla Ristiq, CEO i PD Media. Ky aktivitet është pjesë e Agjendës Dixhitale të BE-së për Ballkanin Perëndimor, e mbështetur nga RCC dhe e financuar nga Bashkimi Europian. Përmban një seri veprimtari rajonale për të gjithë komponentët e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal.

RCC  mbështeti këtë eveniment më të madhin rajonal për digjitalizim, për të pestin vit radhazi. Samiti Dixhital i Ballkanit Perëndimor zhvillohet çdo vit në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Agjendës së Përbashkët të Tregut Rajonal për Ballkanin Perëndimor. Pas Samitit të mbajtur në Shkup në vitin 2018, në Beograd, Tiranë dhe Podgoricë, përkatësisht në vitin 2019, 2020 dhe 2021, këtë vit Samiti i 5-të Dixhital i Ballkanit Perëndimor organizohet  me mikpritjen e Qeverisë së Kosovës*.


MË SHUME NGA Ekonomi