FMN: Shqipëria ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar
Rtklive
Ekonomi

FMN: Shqipëria ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar

RTSH

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bo Li, tha se “Shqipëria ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë goditjeve të shumta në vitet e fundit, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar”, shkruan ATSH.

Në një deklaratë pas vizitës në Shqipëri në fillim javë, Li theksoi se “autoritetet kanë reaguar shpejt ndaj këtyre goditjeve me politika duke shfrytëzuar hapësirat e krijuara nga politikat më parë”.

“Në diskutimet e mia me autoritetet, theksova sfidat me të cilat përballet Shqipëria që vijnë si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, shtrëngimi i kushteve financiare dhe dobësimi i mjedisit të jashtëm. Është e nevojshme të mbështeten shtresat në nevojë nga presionet mbi koston e jetesës nëpërmjet politikave fiskale të mirorientuara dhe të përkohshme”, nënvizoi Li.

Zv/drejtori i përgjithshëm i FMN-së Bo Li tha se, “ne diskutuam gjithashtu politikat që duhet të ndërmerren për të inkurajuar potencialin e rritjes së Shqipërisë dhe konvergjencën e të ardhurave me BE-në dhe i kërkova autoriteteve të vazhdojnë me finalizimin dhe zbatimin e një strategjie të shëndoshë afatmesme të të ardhurave”.

“Ishte kënaqësi të bëja vizitën time të parë në Shqipëri si Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i FMN-së. Dëshiroj të falënderoj Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, dhe zyrtarë të tjerë për mikpritjen e tyre të ngrohtë dhe për mundësinë që më dhanë për të mësuar më shumë për kushtet ekonomike dhe financiare të Shqipërisë. FMN ka një marrëdhënie afatgjatë dhe produktive me Shqipërinë. E vlerësoj këtë mundësi që pata për të forcuar marrëdhëniet tona dhe kam theksuar mbështetjen tonë të vendosur për Shqipërinë”, theksoi Li.

Zv/drejtori i përgjithshëm i FMN-së Bo Li u shpreh se “largohem me ndjenjën e një miqësie dhe partneriteti të forcuar pas takimeve me autoritetet, që më lanë përshtypje me nivelin e tyre të lartë të angazhimit”.


MË SHUME NGA Ekonomi