Viqa: Unioni i bizneseve me projekte ambicioze|Video
Foto RTK
Ekonomi

Viqa: Unioni i bizneseve me projekte ambicioze|Video

A.Bela/ RTKlive

Në Bad Homburg të Gjermanisë, Unioni i Bizneseve shqiptare dhe gjermane në Gjermani ka mbajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm, ku është zgjedhur kryesia e këtij Unioni. Ndërmarrësi i suksesshëm në Gjermani, Nazmi Viqa është zgjedhur edhe për një mandat Kryetar i Unionit të Bizneseve.

Nazmi Viqa i cili është zgjedhur edhe për një mandat Kryetar i Unionit të Bizneseve, tha se qëllimet kryesore të këtij Unioni në katër vitet e ardhshme do të jenë forcimi dhe rritja e urave të bashkëpunimit ndërmjet anëtarëve në Gjermani, përfaqësimi i bizneseve para institucioneve gjermane, përkrahja e kompanive shqiptare në vendlindje për qasje më të lehtë në tregun gjerman, dhe krijimi i mekanizmave të bashkëpunimit, investimit dhe shkëmbimit të përvojave.

Viqa deklaroi se “Unioni buron nga bizneset dhe i tyre do të jetë gjithmonë. Për këtë qëllim së shpejti në Gjermani do të themelohen gjashtë degë regjionale në: Hamburg, Berlin, Dyseldorf, Frankfurt, Shtutgart dhe Mynih. Ndërkaq në vendlindjet tona do të themelohen zyrat ndërlidhëse në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup”, tha ai.

Në Kryesi të Unionit janë zgjedhur po ashtu ndërmarrës dhe afarist të suksesshëm në Gjermani. Gani Nuha, është zgjedhur nënkryetar i parë, nënkryetar i dytë Zenun Krasniqi, sekretar i përgjithshëm është zgjedhur Nexhmedin Veliqi, ndërsa anëtar të tjerë të kryesisë janë zgjedhur Bekim Borovci, Vllaznim Kelmendi dhe Bekim Bytyqi.

Drejtori Ekzekutiv i Unionit Fadil Abdullahu prezantoi strategjinë dyvjeçare të Unionit. Ai deklaroi se “Unioni do të jetë platformë dhe zë i fuqishëm i prezantimit të bizneseve shqiptare në Gjermani dhe vendlindjet e tyre shqiptare. Zyrat ndërlidhëse do të luajnë një rol kyç në rrjetëzimin e bizneseve shqiptare dhe krijimin e sinergjive të reja me qëllim të rritjes së mundësive investive, qasjes së tyre më të lehtë në treg dhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet bizneseve shqiptare në Gjermani dhe vendlindet shqiptare”.

Në fjalimin e tij përshëndetës, anëtari i nderit Lazim Destani deklaroi se Unioni duhet t`i bashkoj ndërmarrësit shqiptarë me qëllim që zëri i tyre të dëgjohet kudo në Gjermani dhe bashkërisht t`i  tejkalojmë kufinjtë në gjetjen e mundësive të reja për bizneset shqiptare.

Unioni i Bizneseve në Gjermani është shoqata më e madhe ekonomike e bizneseve shqiptare në Gjermani.

 

 


MË SHUME NGA Ekonomi