Hajdari: Me politikën tonë industriale, synojmë transformimin e industrisë
Foto: MINT
Ekonomi

Hajdari: Me politikën tonë industriale, synojmë transformimin e industrisë

Fadil Sertolli / RTKlive

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari mori pjesë në ngjarjen “Ndërlidhja e ofertës me kërkesën në tregun e punës”, me moton “Aftësim, Punësim, Zhvillim”, të organizuar nga Shehu Academy, në bashkëpunim me projektin e USAID ‘KosovoCompeteActivity’.

Përmes një komunikate për media thuhet se ministrja Hajdari, theksoi rolin qendror të arsimit dhe aftësimit profesional, për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e punësimit cilësor në vendin tonë.  Duke njoftuar për mungesën e inxhinierëve të profileve dhe nën profileve të ndryshme të nevojshme për industrinë tonë, ajo tha se të gjithë ata që do të përbëjnë ekonominë e së nesërmes, janë ata se çfarë marrin sot nga institucionet arsimore dhe të trajnimit, dhe se çfarë arsimimi dhe trajnimi do të iu ofrohet atyre do të pasqyrohet në ekonominë tonë.

Ministrja Hajdari shtoi se, për një aftësim të duhur dhe me kompetencë, gjersa është e nevojshme angazhimi i mësimdhënësve dhe pjesëtarëve tjerë të arsimit për kontributin e tyre të vlefshëm, është më së i nevojshëm, përveç veprimeve të tanishme të Qeverisë me politikat, legjislacionet  dhe mekanizmat e themeluar për përmirësimin e arsimit dhe aftësimit profesional, edhe pro aktiviteti nga komuniteti i biznesit ka rol shumë të rëndësishëm në arritjen e qëllimit për aftësim, punësim dhe zhvillim.

“Me politikën tonë industriale, ne synojmë transformimin e industrisë së vendit në një industri më të integruar globalisht që është në gjendje të prodhojë produkte me vlerë të lartë të shtuar dhe të ofrojë punësim të denjë, të cilën do ta arrijmë nëpërmjet thellimit të zinxhirëve të vlerës së brendshme, rritjes dhe diversifikimit të prodhimeve të eksporteve, përmirësimit të kualifikimit të fuqisë punëtore, një digjitalizimi të përshpejtuar të prodhimit dhe teknologjisë së avancuar për prodhimin e gjelbër, si dhe një përdorim më të mirë të burimeve natyrore vendore dhe materialeve të ricikluara.  Dhe, në arritjen e këtij synimi, komuniteti i biznesit  ka rol të veçantë në përmirësimin e kualifikimit të fuqisë punëtore dhe punësimit të denjë, për prodhim të produkteve vendore me vlerë të lartë të shtuar” theksoi Ministrja Hajdari, thuhet në komunikatë.

Po ashtu sipas komunikatës, në fjalimin e Ministres u përmend edhe ndërlidhja me Diasporën, si dhe tërheqja e investimeve në industrinë prodhuese, gjersa studimet kanë nxjerrë në pah rolin qendror të sektorit të prodhimit për rritjen dhe zhvillimin ekonomik në vendin tonë.

Në përfundim të fjalimeve, Ministrja Hajdari bashkë me përfaqësues të Akademisë Shehu dhe projektit të USAID KosovoCompeteActivity, ndanë certifikata për kursantët e sektorëve të ndryshëm industrial.

Ndryshe, në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues nga institucionet publike të arsimit dhe aftësimit profesional (AAP), qendrat private të aftësimit profesional, institucionet relevante të arsimit dhe punësimit të Republikës se Kosovës dhe ndërmarrësit vendor, përfaqësues nga bashkëpunimi ndërkombëtar për AAP, për qëllim të rritjes së koordinimit dhe bashkëpunimit më të mirë me institucionet private të AAP-së dhe krijimin e sistem arsimor më cilësor.

 

 


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle