Me lehtësira ligjore, Qeveria tenton të rikthejë mjekët nga diaspora
Foto: RTKLive
Shëndetësi

Me lehtësira ligjore, Qeveria tenton të rikthejë mjekët nga diaspora

J.Musliu/RTKlive

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka vendosur që të miratojë Udhëzimin  Administrativ për angazhimin e profesionistëve të huaj shëndetësorë në Kosovë.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, deklaroi se sot fillon epokë e re e angazhimit të profesionistëve shëndetësorë nga mërgata dhe ata që kanë përfunduar shkollimin në  Kosovë dhe nga Evropa e SHBA-ja.

Ai tha se ky Udhëzim Administrativ heq barrierat burokratike të marrjes së licencës.

“Bashkatdhetarët tanë që angazhohen në institucionet tona publike, do të kenë  licencë 5 vjeçare dhe do të hiqen taksat  për ta”, tha ministri Latifi, në konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë.

“Procedura për licencim të tyre do të jetë shumë më e shkurtër”, tha ministri Latifi.

Ai e pranoi se aktualisht ka pabarazi mes mjekëve nga Prishtina me vendet e tjera të Kosovës, meqë shumica e ekspertizës është në kryeqytet.

“Kemi shumë kirurgë në Prishtinë e jo në spitale tjera. E kemi vendosur ta bëjmë ridistribuimin e ekspertizës sonë”, tha Latifi.

Megjithatë, ministri Latifi konfirmoi se ende nuk është e specifikuar se si do të bëhet pagesa e këtyre ekspertëve që do të vijnë nga diaspora.

Ai tha se fillimisht pagesa e tyre do të bëhet njësoj e pastaj me një pako të veçantë do të bëhet e mundshme pagesa e tyre.


MË SHUME NGA Shëndetësi