Rafuna kërkon mbështetjen e Zvicrës për marrëveshje me EFTA-n
Foto: Oda Ekonomike
Ekonomi

Rafuna kërkon mbështetjen e Zvicrës për marrëveshje me EFTA-n

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka pritur në takim delegacionin e parlamentarëve zviceran. Bashkë biseduan për marrëveshjen e tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe EFTA-s.

Selia e Odës Ekonomike të Kosovës ka qenë sot adresë për parlamentarët zviceran, anëtarë të Komisionit parlamentar të “European Free Trade Association”.

Ata u pritën nga kryetari i Odës, Lulzim Rafuna.

Ky delegacion i parlamentarëve zviceran po qëndron në Kosovë në kuadër të negociatave për një marrëveshje për tregti të lirë mes Kosovës dhe EFTA-s.

Rafuna ka thënë se nga bashkëpunimi mes Kosovës dhe EFTA-s do të përfitonin të dyja palët.

“Bizneset kosovare janë duke depërtuar në tregun evropian dhe më gjerë”.

Tutje kreu i Odës Ekonomike ka ftuar që Kosova të përkrahet në nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë me EFTA-n.

“Zvicra është ndër përkrahësit e mëdhenj të Kosovës. Përkrahja për një marrëveshje me EFTA-n do të kontribuonte që bizneset kosovare të rriten dhe të kontribuojnë edhe më shumë në stabilitetin e Kosovës”, u shpreh ai.

Delegacioni zviceran, i përbërë nga Benedikt Wurth, në cilësinë e kryesuesit të delegacionit, si dhe deputetët Hannes Germann dhe Hans-Peter Portmann, u shprehën të interesuar në çështjet zhvillimore të Kosovës.

EFTA është organizatë dhe zonë e tregtisë së lirë e përbërë nga Zvicra, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda, pra vende që nuk janë anëtare të BE-së, por që marrin pjesë në tregun e përbashkët evropian.


MË SHUME NGA Ekonomi