Marrëveshja me EFTA-n, Hajdari takon delegacionin zviceran
Foto: MINT
Ekonomi

Marrëveshja me EFTA-n, Hajdari takon delegacionin zviceran

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka pritur në takim delegacionin e parlamentit zviceran që ka përcjell bisedimet e Republikës së Kosovës me vendet e EFTA-s.

“Anëtarësimi i Kosovës në Shoqatën Evropiane e Tregtisë së Lirë ka shumë rëndësi për vendin”, derisa thuhet se të dyja vendet janë të përkushtuara për finalizimin sa më të shpejtë të kësaj marrëveshjeje.

Kjo pasi shkëmbimet tregtare me vendet e EFTA-s, veçanërisht me Zvicrën, janë vazhdimisht në rritje dhe kanë një bilanc të dukshëm pozitiv tregtar.

Ministrja Hajdari, siç bëhet e  ditur në komunikatë e njoftoi delegacionin zviceran për prioritetet e qeverisjes së tanishme “punësim dhe drejtësi”, për progresin e shtetit në raportet ndërkombëtare, për treguesit në rritje të sundimit të rendit dhe ligjit, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik.

“Delegacioni zviceran u njoftua më gjerësisht për politikat industriale, konkretisht për përparësitë konkurruese të sektorëve industrial, me shembuj suksesi në ‘business process outsourcing’, për shkathtësitë e të rinjve tanë në inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe për mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimeve ekonomike në fushat me interes reciprok mes dy vendeve, përmes nënshkrimit të marrëveshjes EFTA”, vazhdon tutje komunikata.

Siç thuhet Qeveria e Kosovës synon të zgjerojë bashkëpunimin me vendet e EFTA-s, në fusha me rëndësi të veçantë për të zgjeruar marrëdhëniet e tyre tregtare, siç janë flukset e investimeve, duke përfshirë transferimin e njohurisë dhe teknologjisë, politikën dhe ligjin e konkurrencës, prokurimin publik, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe çështje dhe politika të tjera të lidhura me tregtinë, duke përfshirë tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, bashkëpunimin doganor dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Kosova ka lansuar negociatat me vendet EFTA-s gjatë muajit qershor 2022, gjersa ka përfunduar raundin e parë të negociatave në fund të muajit gusht 2022.

EFTA si organizatë rajonale tregtare dhe zonë e tregtisë së lirë, përbëhet nga katër shtete evropiane: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.


MË SHUME NGA Ekonomi