Delegacioni i EFTA-s në Kosovë, bisedime për marrëveshje për tregti të lirë
Foto: RTKLive
Ekonomi

Delegacioni i EFTA-s në Kosovë, bisedime për marrëveshje për tregti të lirë

Muharrem Miftari/RTKlive

Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike të Kuvendit të Kosovës, priti në takim një delegacion të deputetëve të Parlamentit të Zvicrës, anëtarë të Komisionit të EFTA-s, të kryesuar nga Benedikt Würth,  me kolegët Hames German dhe Hans-Peter Portman, të shoqëruar nga zyrtarë të Ambasadës.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i këtij komisioni parlamentar, Ferat Shala, deputet nga radhët e PDK-së, përmes rrjetit social në facebook.

Shala tha se në takim u shkëmbyen përvojat parlamentare zvicerane dhe kosovare, si dhe u diskutua lidhur me marrëdhëniet politike dhe tregtare në mes dy vendeve.

Bëhet e ditur se temë diskutimi ishte negocimi i marrëveshjes për tregti të lirë mes shteteve të EFTA-s dhe Kosovës.

Mes tjerash në takim u përmend edhe roli i  mërgatës shqiptare në Zvicër, që nga të pranishmit u vlerësua si një urë lidhëse mes të dy shteteve.


MË SHUME NGA Ekonomi