Tensione në Komision, shkak mungesa për raportim e ministrit Hekuran Murati
Foto: RTKLive
Ekonomi

Tensione në Komision, shkak mungesa për raportim e ministrit Hekuran Murati

Jeton Musliu/RTKlive

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike, përplasi pozitë e opozitë.

Kjo meqë për të raportuar sot në këtë komision, ishte thirrur ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Por ministri Murati  nuk i është përgjigjur ftesës së këtij komisioni në kohën kur mbahej mbledhja, ai ndodhej në Shqipëri, duke marrë pjesë në një ngjarje të portin e Durrësit.

Në këtë mbledhje, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, u mblodh  për shqyrtimin e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Por, ndaj mungesës së ministrit Murati, reagoi kryetarja e Komisionit, Hykmete Bajrami, meqë sipas saj, ministri nuk u paraqit në raportim, përkundër faktit se 10 ditë më parë, ai  ka konfirmuar pjesëmarrjen.

“Asnjë njoftim nuk ka pasur nga stafi i Ministrisë së Financave”, tha deputetja Bajrami. “Sot një njoftim e kemi parë në media se ministri Murati është në Shqipëri, përkatësisht në portin e Durrësit”.

Më tej, deputetja Bajrami deklaroi mungesa e ministrit Murati, dyshon se mund të jetë  skenar. E pas këtij momenti, pati  përplasje mes deputetëve.

Deputeti Hajdar Beqa nga PDK-ja në opozitë, e cilësoi të pakuptimtë që të shqyrtohet raporti pa prezencën e ministrit Murati.

Ndërkohë, deputetja Mirlinda Sadiku nga LVV,  arsyetoi  mungesën e Muratit dhe i cilësoi  paragjykime ato çfarë tha kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami nga LDK-ja.

Sidoqoftë, mospajtimet vazhduan edhe pasi deputetja Bajrami  e mbylli mbledhjen, pasi punimet i vazhdoi  nënkryetarja Arta Bajraliu.

Deputeti nga LVV Eman Rrahmani, deklaroi se mungesa e ministrit Murati është e paarsyeshme.

E në anën tjetër, deputetja e LVV, Arta Baraliu,  kërkoi  që mos të bëhet politikë me çështje e tjera që nuk lidhen me temën që ishte në rend dite.

Një deklarim të tillë ajo e bëri pasi deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ministrin Murati e cilësoi të papërgjegjshëm që nuk i ka ekzekutuar paga e mësimdhënësve.

Deputetja e AAK, Albana Bytyqi, u kërkoi deputetëve  të pozitës që mos të bëhen avokat të ministrit, duke shtuar se është e papranishme që ai të shkojë në Durrës e mos të marrë pjesë në mbledhje.


MË SHUME NGA Ekonomi