Në Portin e Durrësit nis zhdoganimi për mallra me destinacion Kosovën
Foto: Dogana e Kosovës
Ekonomi

Në Portin e Durrësit nis zhdoganimi për mallra me destinacion Kosovën

E.Hoti/RTKlive

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Republikës së Kosovës Hekuran Murati dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë së Republikës së Shqipërisë Delina Ibrahimaj kanë vizituar sot zyrat e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit. Vizita është bërë me rastin e fillimit të zhdoganimit të plotë në portet e Durrësit për mallrat me destinacion Republikën e Kosovës.

Zhdoganimi i mallrave në portet e Durrësit i mundëson ekonomisë së Kosovës që praktikisht të ketë qasje në det, duke lehtësuar kështu depërtimin e bizneseve vendore në tregjet ndërkombëtare.

Me këtë rast, Ministri Murati u shpreh se “me modalitetet e tanishme të funksionimit të zhdoganimit në portet e Durrësit, do t’i ulim kostot për bizneset dhe konsumatorët në rreth 2 milionë euro, kurse përmirësimi i kohës së zhdoganimit do të reflektohet në krijimin e kushteve optimale për tërheqjen e investimeve të huaja në vend”.

Ministrja Ibrahimaj, tha se zhdoganimi i mallrave me destinim Kosovën në portin e Durrësit është vetëm hapi i radhës në marrëdhëniet tona tregtare, duke theksuar edhe njëherë angazhimin e Qeverisë Shqiptare në thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror.

Ndërsa Drejtori i përgjithshëm i Doganës,  Agron Llugaliu theksoi se sot është ditë e rëndësishme për Doganën e Kosovës. “Ngase po ofrojmë lehtësi të madhe dhe të prekshme për bizneset tona dhe në efekt të qytetarit dhe ekonomisë, për faktin se këto lehtësira mundësojnë kursime kohe dhe para për bizneset, të cilat mund të investohen në projekte të reja të bizneseve”, tha Llugaliu.

 “Lehtësirat zënë vend të rëndësishëm në planet strategjike të doganave në mbarë botën, prandaj një lehtësim kaq i prekshëm është edhe realizim i madh i planit strategjik, përtej dobive të shumëfishta nga aspekti kombëtarë. Më lejoni të falënderoj me këtë rast grupet punuese të Doganave tona si dhe zyrtarët e përfshirë të Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinarisë, me shpresën që të avancojmë edhe më tej këto lehtësira”, tha ai.

 Sipas tij, hapi i ardhshëm është krijimi i zyrës së përbashkët në Vermicë, për të cilën, edhe në nivel teknik jemi pajtuar se duhet të punojmë bashkërishtë për ta bërë si pikë kryesore për këmbimet e përbashkëta.

“Me të përfunduar punimet e filluara presim të shohim këto zhvillime që do të avancojnë edhe më tej lehtësirat dhe do të nxisin shkëmbimin mbarë kombëtarë tregtar“.

Në mbledhjen e fundit në mes të dy Qeverive, të mbajtur në qershor të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja për analizimin e bashkimit të mundshëm doganor, i cili shënon integrimin tregtar në mes të dy ekonomive.

Marrëveshja në mes Qeverive ofron një platformë të gjerë për mundësi efikase të lehtësirave. Me këtë aranzhman, në portet e Durrësit për interes të tregtarëve tonë zbatohet legjislacioni i Kosovës. AUV është pjesë e iniciativës dhe ata do bëjnë kontrollet së bashku me AKU të Shqipërisë, gjë që ofron mundësi më të madhe të bashkëveprimi.


MË SHUME NGA Ekonomi