Mars-Gusht 2022, shqiptohen 285 gjoba për ndotësit e mjedisit
Fadil Sertolli / RTKlive
“Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën” ka bërë monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Ndëshkime me Gjoba Mandatore si dhe të Rregulloreve Komunale për Mjedis.
“Gjatë periudhës kohore Mars-Gusht 2022 janë shqiptuar 285 gjoba mandatore nga inspektorët komunal në 24 Komuna. Më së shumti gjoba janë shqiptuar në Komunën e Mitrovicës, gjithsej 60 gjoba. Komunat Podujevë, Istog dhe Mamushë nuk e kanë shqiptuar asnjë gjobë për këtë periudhë kohore, ndërsa Komuna e Fushë Kosovës nuk e ka dërguar numrin e gjobave të shqiptuara”, thuhet në një njoftim nga 'Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën'.
Sipas njoftimit përveç gjobave Mandatore disa nga komunat kanë dërguar fletëparaqitje për Gjykatë, Procese Verbale dhe Kërkesa për Gjykatë në kuadër të qështjeve mjedisore.
'Let’s Do It-Ta Pastrojmë Kosovën' po ashtu njofton se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim dhe falënderon inspektorët komunal të mjedisit për bashkëpunimin dhe gatishmërinë në ndarjen e të dhënave me qëllim që përmes raportimeve të Gjobave Mandatore të vetëdijësojë ndotësit në mënyrë që të krijohet një mjedis sa më i pastër në gjithë territorin e Kosovës.
'Let’s Do It – Ta Pastrojmë Kosovën' gjithashtu, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të e rrisin kujdesin për mjedisin, sidomos për pronat publike.























