AKP shpalli rezultatet e shitjes së 31 aseteve
N.Mekolli /RTKlive
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), sot në ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjes së aseteve, përmes likuidimit nr. 59 me tender publik, shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e ndërmarrjeve shoqërore, që ishin në dispozicion për shitje.
Për 31 asete, sa ishin në shitje, gjithsej u pranuan 36 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 969 mijë e 696 euro.
“Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve janë bërë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm. Po ashtu është bërë transmetimi i drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: www.pak-ks.org, duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë për të gjithë qytetarët e interesuar që nuk kanë qenë të pranishëm në sallë”, njofton AKP, përmes një komunikate për media.
Bëhet e ditur se rezultatet e ofertave mund të gjinden në linkun: https://www.pak-ks.org/page.aspx?id=1,106
Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privat gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.























