Banka Qendrore rrit me 0.5% normën e interesit për lekun
ATSH
Banka e Shqipërisë e rriti sot normën bazë të interesit për lekun me 0.5%, duke e çuar në 2.25% nga 1.75% që ishte aktualisht.
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko njoftoi sot rritjen e normave të interesit menjëherë pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, teksa sqaroi se “kjo masë u mor për të frenuar rritjen e çmimeve përtej objektivit të inflacionit prej 3%”.
Kjo është rritja e katërt brenda këtij viti, duke ndryshuar tendencën e politikës monetare lehtësuese që kishte zgjatur për më shumë se një dekadë, duke e ulur normën bazë në minimumet historike prej 0.5%.
Rritja e parë ishte në mars, nga minimumi histori prej 0.5%, në 1%. E dyta në korrik, ku norma bazë u zgjerua me 0.25% dhe arriti në 1.25%. Në ndërhyrjen e tretë në fillim të gushtit, norma bazë arriti në 1.75%. Ndërsa në mbledhjen e sotme, ajo u shtua me 0.5%, duke sinjalizuar shqetësimin e Bankës së Shqipërisë për presionet e larta inflacioniste.
Sejko tha se, “informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se presionet inflacioniste janë më të gjera dhe më të forta diktuar nga lufta në Ukrainë. Ky gjykim pasqyron rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet botërore, si dhe kërkesën e lartë për mallra e shërbime në vend. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të vijojë procesin e normalizimit të politikës monetare”.
Përmes shtrëngimit të politikës monetare (rritjes së normës bazë) Banka e Shqipërisë synon që të mbajë inflacionin nën kontroll, teksa objektivi i saj kryesor është ruajtja e stabilitetit të çmimeve në vend.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi po ashtu, të rrisë normën e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 1.25% nga 0.75%, të rrisë normën e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë në nivelin 3.25% nga 2.75%.























