Stavileci: Kontrabanda më shumë bëhet me produkte atraktive
A.B/ RTKlive
Njësitë e Doganës së Kosovës, sot kanë konfiskuar mbi 1 ton duhan dhe cigare në një depo në regjionin e Prizrenit. Dogana së fundit ka pasur edhe aksione të ndryshme duke kapur mallra kontrabandë.
Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, bëri me dije se pas një pune operative dhe hetimore sot pasdite njësitë e Doganës kanë bastisur një depo të dyshuar për kontrabandë me duhan.
“Pas bastisjes janë gjetur sasi të konsiderueshme të duhanit të grirë si dhe cigareve të paketuara për shitje. Në kemi dyshimet se është kontrabanduar nga Shqipëria”, tha ai për emisionin lajmet e fundit në RTK.
Stavileci theksoi se kontrabanda më shumë bëhet tek produktet atraktive që kanë taksa dhe akcizë.
Stavileci theksoi se këtë vit ka rënie të kontrabandës dhe janë rritur të hyrat doganore.“Dogana çdo vit përmirësohet falë punës, falë vetëdijësimit dhe falë institucioneve të tjera të Kosovës, si Policia e Kosovës, ATK-në etj”, theksoi ai.























