Raporti i buxhetit u rekomandua për në seancë plenare
BKT
Foto arkiv/ RTKlive
Ekonomi

Raporti i buxhetit u rekomandua për në seancë plenare

A.B / RTKlive

(E plotësuar) Komisioni për Buxhet Punë dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Armend Muja, mbajti sot mbledhjen e radhës.

Komisioni shqyrtoi në parim Projektligjin për mbështetjen e punëve publike, të cilin e prezantoi dhe arsyetoi ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati.

Duke e konsideruar si të domosdoshëm, ministri Murati tha se përmes këtij projektligji do të subvencionohen deri 20 për qind materialet ndërtimore, çmimet e të cilave janë ngritur si pasojë e inflacionit dhe kanë ngecur punët publike.

“Projektligji vlen prej korrikut 2022 deri në qershor të vitit 2023”, tha ministri Murati.

Pas prezantimit u hap debati për pyetje të anëtarëve të komisionit, të cilat morën përgjigje nga ministri Murati.

Pas shterimit të debatit, Projektligji u hodh në votim dhe mori mbështetjen e shumicës së anëtarëve të komisionit.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e Raportit Vjetor Financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, të cilin e prezantoi po ashtu ministri Hekuran Murati.

Sipas ministrit Murati në vitin 2021 ka pasur performancë në rritjen e të hyrave tatimore me 30 për qind, ndërsa buxheti është realizuar me mbi 2 miliardë euro.

Pas prezantimit, anëtarët e Komisionit dhanë pikëpamjet e tyre në lidhje me raportin dhe në fund raporti vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021 u rekomandua për në seancë plenare.

Shqyrtohet raporti vjetor financiar për buxhetin e Kosovës.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere sot do të mbajë mbledhje.

Në këtë mbledhje do të bëhet shqyrtimi në parim i Projektligjit për mbështetjen e punëve publike dhe shqyrtimi i raportit vjetor financiar për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, raporton RTKlive.

Mbledhja fillon në ora 11:00


MË SHUME NGA Ekonomi