Kosovë – Mali i Zi, kërkohet odë e përbashkët ekonomike
Arbenita Marmullaku/ Radio Kosova
Një kompani nga Kosova do të bëjë një investim të madh në Ulqin, me qëllim të ngritjes edhe më lart të turizmit. Kështu tha për Radio Kosovën kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari, gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar “Ulqini 2023” që u mbajt për dy ditë në Ulqin. Në këtë forum u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në fushën e ekonomisë.
Hapja e një ode ekonomike të përbashkët Kosovë-Mali i Zi është parë e rëndësishme, për rritjen e bashkëpunimit dhe investimeve në fusha të ndryshme ekonomike në Ulqin. Kryetari i Ulqinit, Omer Bajraktari, ka bërë të ditur për Radio Kosovën se një kompani nga Kosova do të bëjë investim të madh në fushën e turizmit në Ulqin. Ai tha se kjo do ta ngritë lart turizmin e vendit të tyre.
“Jemi në negociata me një kompani të madhe nga Kosova në sferën e turizmit e e cila duhet të bëjë një investim jashtëzakonisht të madh në hotelerinë e Ulqinit në një lokacion shumë strategjik dhe nëse çdo gjë shkon në drejtimin e duhur, besoj se shumë shpejt do ta bëjmë të ditur lajmin, sepse kjo do ta ngritë turizmin e Ulqinit në nivel shumë më të lartë”, ka thënë ai.
Por, Bajraktari në forumin ekonomik tha se bizneset e Ulqinit janë më pak të pranueshme në tregun e Kosovës. Ai ka kërkuar përkrahje në këtë drejtim.
Ndërsa ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjeka, ka thënë se investimet më të mëdha në Malin e Zi vijnë nga Kosova.
“Investimet më të mëdha vijnë nga Kosova. Ky forum është rast i mirë për të parë procedurat më afër. Po shohim mundësi për të hapur një dhomë ekonomike të përbashkët në Ulqin”, ka thënë ai për Radio Kosova.
Aleanca Kosovare e Biznesit është partner i qëndrueshëm i Malit të Zi dhe bashkëpunimi në fushën e ekonomisë është bërë traditë, thotë kryetari Agim Shahini. Por ai pati një kërkesë për udhëheqësit atje.
“Mali Zi duhet hequr burokracitë në marrjen e lejeve në ndërtim në marrjen e licencave të ndryshme për të ardhur më lehtë për të investuar këtu”, është shprehur Shahini.
Në këtë forum, pronari i fabrikës të re kosovare të gotave të letrës, Fadil Halili, tha se bashkëpunimi me Malin e Zi është i rëndësishëm. Ai tha se mendojnë të zgjerohen si fabrikë duke krijuar gjëra nga letra e që do të jenë risi në gjithë tregun e Evropës.
“Është mundësi shtesë për të krijuar lidhje për të gjetur mundësi kooperimit, bashkërisht produktet tona t’i plasojmë në tregun qoftë të Malit të Zi apo Shqipërisë”, ka thënë ai.
E biznesmeni Shkëlzen Jusaj, ka kërkuar më në detaje dokumente për të parë mundësinë e investimit në Mal të Zi. Për dy ditë me radhë, Aleanca Kosovare e Bizneseve në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit e mbështetur nga Qeveria e Malit të Zi për herë të parë mbajtën Forumin Ekonomik Ndërkombëtar “Ulqini 2023”, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe të bashkë investimeve në fushat e ndryshme ekonomike në Ulqin dhe rrethinë.























