Komisioni ftoi gabimisht në intervistim ish-anëtarin e Bordit të ZRRE-së
N.Mekolli /RTKlive
Komisioni Hetimor Parlamentar, në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike, mbajti mbledhjen e saj të radhës.
Komisioni filloi intervistimin e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për periudhën 2006-2008. Intervistimi filloi me dëshmitarët, Ali Hamiti dhe Përparim Kabashi.
Kryesues i këtij komisioni, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hajdar Beqa, pyeti të intervistuarit për kompetencat që kishin në ZRRE, për kohën sa ata ishin anëtarë të saj, në kompetenca të kujt ishte shitblerja e energjisë elektrike, në vitin 2006-2008.
Pas betimit si dëshmitarë, Përparim Kabashi tha se detyrën si anëtar i ZRRE-së e kishe filluar më 2009 dhe nuk mund të flasë për vitet 2006-2008.
Për këtë shkak, kryesuesi Beqa i kërkoi falje dhe Kabashi u lirua nga pyetjet.
Pas tij, fjalën e mori dëshmitar Ali Hamitin. Ai sqaroi se gjatë qëndrimit të tij në ZRRE, ajo ishte një ndër institucionet e para të Kosovës që kaloi nga ndërkombëtarët tek vendoret. Hamiti, tutje, njoftoi komisionin se si udhëheqës i Bordit të kësaj zyre ishte zgjedhur nga ndërkombëtarët, prej shkurtit të vitit 2007 deri në shkurt 2012.
Hamiti tha se derisa ai mori detyrën në ZRRE, kontrollin e kishin ndërkombëtarët, gjegjësisht Shtylla e Katërt e UNMIK-ut. Stafi në këtë zyrë, sipas dëshmitarit Hamiti, ka qenë i zgjedhur nga ndërkombëtarët, por edhe nga Kuvendi i Kosovës.
Kryesues i këtij komisioni pyeti edhe për kompetencat për shitblerjen e energjisë. Hamiti tha se ZRRE-ja nuk i ka hapur këto tenderë për shitblerjen e energjisë, por vetëm i ka kontrolluar ata.























