MPJD me memorandum për promovimin e verës kosovare në arenën ndërkombëtare
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Shoqata e prodhuesve të Verës “Enologjia” nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi për përkrahjen e prodhueseve vendor të verës dhe promovimin e tyre në arenën ndërkombëtare.
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi sot ka nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me Shoqatën e Prodhuesve të Verës “Enologjia”.
Sipas MPJ-së, qëllimi i këtij bashkëpunimi është përkrahja e prodhueseve vendor të verës dhe promovimi i tyre në arenën ndërkombëtare.
“Konkretisht, prodhuesit e verës do të ndihmohen nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nëpërmjet lehtësimit të procedurave burokratike, promovimit të verës në misionet diplomatike/konsullore të Kosovës, përfshirjen e verës në dhurata diplomatike, dhe përkrahja për pjesëmarrje në panaire, gara apo aktivitete tjera degustuese jashtë vendit”.
Aty thuhet se bashkëpunimi i tillë tregon gatishmërinë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për të përkrahur dhe promovuar produktet vendore në tregjet ndërkombëtare.























