Murati në Uashington merr mbështetje nga anëtarët e Konstituencës të BB-së
BKT
Foto: Ministria e Financave
Ekonomi

Murati në Uashington merr mbështetje nga anëtarët e Konstituencës të BB-së

Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka qenë në krye të tryezës të përfaqësuar nga dhjetë shtete evropiane duke e udhëhequr Takimin e Konstituencës që mbahet në kuadër të takimeve vjetore të Grupit të Bankës Botërore.

Ky takim mbledh përfaqësues nga Ministritë e Financave të Austrisë, Belgjikës, Turqisë, Bjellorusisë, Çekisë, Luksemburgut, Hungarisë, Sllovakisë, Sllovenisë, si dhe Kosovës.

“Me këtë rast, Drejtori Ekzekutiv i Konstituencës, ka prezantuar të arriturat kryesore të Grupit të Bankës Botërore dhe të Konstituencës përkatëse”, ka treguar përmes një njoftimi Ministria e Financave.

Aty përfaqësuesit arritën dakordim lidhur me qëndrimin e përbashkët mbi financimin e politikave të qëndrueshme zhvillimore, si dhe krizën energjetike e ushqimore.

Ministri Murati gjatë fjalës së tij, ndër të tjera, shprehu edhe interesin e Kosovës që të jetë nikoqire e takimit të radhës, propozim i cili u mirëprit nga anëtarët e Konstituencës.

 


MË SHUME NGA Ekonomi