Zhdoganimi i mallrave në Durrës, lehtësi për transportuesit|Video
Myrvete Axhami/RTK
Pas aplikimit të zhdoganimit të mallrave të importuara në Kosovë në portin e Durrësit, në Vërmicë janë krijuar lehtësira thonë transportuesit.
“Po, ka filluar zhdoganimi i mallrave në Durrës dhe nuk na ka marrë shumë kohë”, thotë Brahim Asllanaj, vozitës i një kamioni mallrash.”Mjafton që tani ne në kufi të mos ndalemi, pasi letrat e procedurat i kryejmë në Durrës”.
Një vozitës tjetër i një kamioni me mallra, deklaron se më parë, vonoheshin për disa orë për të kryer procedurat.
Më lehtë e pa probleme , thonë se po kalojnë në pikat kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë edhe transportuesit që importojnë mallra nga qytete të tjera të Shqipërisë .
Sipas shefit të ndërrimit të Doganës së Kosovës në Vërmicë, Përparim Tabaku, pas zhdoganimit të mallrave në Durrës , këtu vetëm bëhet mbyllja e dokumenteve që merr rreth 4 minuta kohë .
“Kryesisht zhdoganohen mallrat që kanë risk të ulët të rrezikut e nuk kanë nevojë për kontroll. Ato e bëjnë doganimin në Durrës, e kryejnë pagesën, pastaj me një deklaratë vjen deri në pikë kalimin kufitar në Vërmicë”, thotë Tabaku për RTK-në.
Zyra e doganës së Kosovës në Portin e Durrësit është hapur që në vitin 2019, por ajo kryente vetëm funksionin e regjistrimit të mallrave, ndërsa zhdoganimi kryhej në Kosovë.























