ATK merr vlerësime pozitive nga KE
M.Sh/RTKLive
Mbledhja e tatimeve, shërbimet ndaj tatimpaguesve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional kanë qenë vetëm disa nga përparësitë që ka evidentuar Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën.
Progres i mirë, sipas ATK-së, është bërë gjatë periudhës raportuese në lidhje me mbledhjen e tatimeve, ku të ardhurat e përgjithshme për vitin fiskal 2021 ishin 19% më të larta se në vitin 2020.
“Totali i tatimeve të mbledhura për gjashtë muajt e parë të 2022 është më i lartë për 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Kjo është për shkak të aktivitetit të fuqishëm ekonomik pas lehtësimit të kufizimeve të pandemisë COVID-19 dhe përmirësimit të pajtueshmërisë tatimore, por të kompensuar nga normat e larta të inflacionit”, thuhet në një njoftim komunikatë lëshuar nga ATK.
Tutje, brenda kapitullit 16, ku vlerësohet pjesa e tatimeve thuhet se sistemi i TVSH-së është gjerësisht i përafruar me legjislacionin e BE-së.
Ndërsa sa i përket kapacitetit operacional dhe automatizimit, Administrata Tatimore e Kosovës thuhet se ka zhvilluar një cilësi të mirë të shërbimit, veçanërisht me përdorimin e gjerë të deklarimeve elektronike dhe pagesave elektronike.
Në fund të raportit thuhet se ATK ka miratuar një plan strategjik katërvjeçar për të përmirësuar mbledhjen e tatimeve, për të reduktuar hendekun tatimor dhe për të përmirësuar kapacitetin e saj institucional, i cili aktualisht është në zbatim.
“Gjatë periudhës raportuese, Administrata Tatimore ka intensifikuar veprimet e saj për përmbushjen tatimore të bazuar në rrezik”, thuhet në njoftimin e ATK-së.























