Shumë femra ndërmarrëse pjesë e panairit ‘AgroKos 2022’
BKT
Ekonomi

Shumë femra ndërmarrëse pjesë e panairit ‘AgroKos 2022’

Arbenita Marmullaku / Radio Kosova

Në ditën e dytë dhe të fundit të Panairit Ndërkombëtar të Agrobiznesit dhe Ushqimit “AgroKos 2022”, veprimtarinë e tyre po e prezantojnë shumë femra ndërmarrëse.

Ato thonë se ky panair, që ka mbledhur dhjetëra agrobiznese dhe biznese të ushqimit nga Kosova e vendet e rajonit, përveç promovimit të produkteve, po krijon edhe ura bashkëpunimi ndërmjet kompanive vendore dhe atyre të huaja.

Kaltrina Ibrahimi, është ndër pjesëmarrësit e shumtë të Panairit “AgroKos 2022”, e cila për dy ditë radhazi ka prezantuar biznesin e saj të gotave prej letrës. 

“Pritjet i kemi të mëdha, për arsye se gotat janë të riciklueshme dhe pritet që në të ardhmen të hiqet plastika për një ambient më të mirë. Në këtë panair kemi pasur shumë vizitorë të cilët kanë qenë të kënaqur”, tha Ibrahimi për Radio Kosovën.

Në mesin e 70 bizneseve, sa po marrin pjesë në këtë panair, është edhe Nazlisha Gashi, e cila gjithashtu ka prezantuar biznesin e saj. Kjo grua ndërmarrëse tha për Radio Kosovën se veprimtaria e kompanisë së saj është tharja e pemëve dhe perimeve, derisa panairin e vlerëson si urë që lidh bizneset në Kosovë dhe rajon.

“Jemi kompani e re që merremi me tharjen e pemëve dhe perimeve. Për fillim kemi nisur me tharjen e  mollës dhe kumbullës. Çdo panair e vlerësoj shumë, por në këtë panair ka pasur shumë vizitorë”, tha Gashi për Radio Kosovën.

Gratë ndërmarrëse pothuajse kanë qenë në fokus të këtij panairi. Ndër to është edhe Edonisa Gashi, e cila thekson se për dy ditë të panairit, përveç prezantimit të kompanisë, ka pasur mjaftueshëm edhe shitje të produkteve.

“Në këtë panair kemi pasur mjaftueshëm shitje. Në këtë kooperativë janë 50 gra të cilat prodhojnë produkte vendore”, tha ajo për Radio Kosovën.

Këtë vit u vlerësua se ky panair ka një rritje të madhe të prodhuesve vendor për 30% për shkak të mbështetjes së qeverisë. Panairi është organizuar nga “Congress and Event Organization-CEO”, ndërsa po marrin pjesë 70 kompani vendore dhe të huaja.


MË SHUME NGA Ekonomi