Kurti: Synim i Qeverisë, transformimi i ekonomisë agro-rurale
Valmira Saraçi Sahatçiu/RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka vizituar Panairin ndërkombëtar të agrobiznesit dhe ushqimit, “Agrokos”, që edicionin e 22 të tij.
Në këtë panair që po zhvillohet nën patronatin e zyrës së tij, Kurti vizitoi stendat e prodhuesve vendor derisa bisedoi me ta për rritjen e prodhimtarisë, rritjen e cilësisë së prodhimeve vendore, potencialin për zhvillim të mëtejmë dhe depërtimin në tregje ndërkombëtare.
Siç ka bërë të ditur zyra për media e qeverisë, kryeministri ritheksoi mbështetjen e Qeverisë për nisma që promovojnë sektorin agro- ushqimor dhe rrisin mundësitë e fuqizimit ekonomik në sektorin e bujqësisë.
Ndërkaq, përfaqësuesit e agro-bizneseve, sipas komunikatës biseduan me kryeministrin për mundësitë që panairi ofron për rrjetëzim dhe bashkëpunime mes agro-bizneseve vendore me ato të vendeve të rajonit, si dhe thellimin e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe privat.
“Së bashku me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe Zëvendësministrin Imri Demelezi, Kryeministri Kurti theksoi synimet e Qeverisë për ta transformuar ekonominë agro-rurale, duke e bërë atë më gjithëpërfshirëse, produktive, të qëndrueshme dhe konkurrente në tregun e brendshëm dhe të jashtëm”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Aty thuhet se me këto synime, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte, subvencioneve për vitin 2022, ka planifikuar mbi 52 milionë euro përkrahje financiare për mbështetjen e kulturave dhe aktiviteteve bujqësore e blegtorale, ku nga këto veçse kanë përfunduar pagesat në vlerë prej rreth 42 milionë euro.
Ndërsa janë ndarë mbi 26 milionë euro në kuadër të Programit për zhvillim rural, grante në bujqësi.























